na ndiq ne

Lamtumirë Lancia?

10/02/2018

Duket se jo çdo gjë shkon mirë me industrinë automobilistike italiane. Thuajse çdo gjë sot identifikohet me siglën FCA (Fiat Chrysler Automobiles), që brenda përfshin ndër të tjera edhe markën e mirënjohur Lancia.

Saktësisht Lancia është një markë me origjinë në Torino dhe çdo gjë fillon kur Vincenzo Lancia në vitin 1906 vendosi të prodhojë makina luksoze të cilat i pagëzoi me mbiemrin e tij. Modelet e para të prodhuara ishin Tipo51 në 1907 (më pas pagëzuar me emrin Alfa) dhe Torpedo, në 1909.

Pas kësaj pasuan një sërë modelesh dhe vriantesh, shumë prej tyre të lavdishëm e disa më pak. Publiku shqiptar e ka njohur markën Lancia me vetëm pas vitit 1990, me lejimin e importimit të makinave. Ndër makinat e para që erdhën në Shqipëri ishin modeli LX, Prisma, Thema e më pas edhe Kappa apo Thesis, të gjitha një përgjigje e vlefshme e luksit Made in Italy.

Duke njohur “dellin” sportiv që çdo gjë e motorizuar italiane ka, këtu mjafton të kujtojmë që modeli Delta LX ishte baza mbi të cilin zhvillohej legjenda e Rally-t Delta Integrale, kampione për 6 vite rradhazi dhe arrinte të zhvillonte edhe në modelin e “thjeshtë” plot 200 kuaj fuqi.

Një model tjetër me plot piper ishte edhe Lancia Thema Ferrari, e bazuar në motorin 3.0 benzine që zhvillonte 215kf dhe besojeni, 32 vjet më parë 215 kuaj fuqi ishin vërtet shumë.

Në ditët e sotme Lancia ka patur vështirësi të vazhdueshme të qendrojë me hapin e kohës dhe kjo është pasqyruar edhe në modelet e propozuar në mënyrë sporadike e jo të vazhdueshme.

Për të ardhur tek lajmi ynë, Lancia ka disa kohë që nuk ka asnjë model në zhvillim dhe ka mbyllur shumicën e website-ve në shtete të ndryshme, duke i zëvendësuar ata me Mopar, divizioni i pjesëve të këmbimit të grupit FCA.

Lancia nuk është e para që kalon të tilla momente. Kujtojmë këtu markën SAAB, e mbyllur pavarësisht tentativave për t’ia shitur një kompanie kineze si dhe Volvo, e cila është ringjallur pas ardhjes së kolosit kinez Geeley.

Ndërkohë, nga Italia nuk ka asnjë lajm se cili do të jetë fati i kësaj marke të rëndësishme, së cilës ne i urojmë më të mirën, edhe nëse do të duhet të shitet jashtë Europës. E rëndësishme do të ishte të mos vdiste.