na ndiq ne

Lamborghini Terzo Millenio

23/11/2017

Lamborghini është një nga ato marka e cila zë një vend të veçantë nderi në panoramën e sotme automobilistike, e pranuar kjo në mënyrë unanime nga të gjithë të apasionuarit dhe ekspertët. Nëse skenarët e braktisjes së motorëve aktualë me djegie të brendshme do të vazhdojnë të përforcohen, siç po duket me shumë gjasa, në disa nga kryeveprat e mbi 150 vjet industri automotive do të duhet të vendosen në një muze ku Lamorghini do të kishte pa diskutim një vend të rezervuar.

Duket se pak a shumë mbi këto baza, prodhuesi nga Sant’Agata Bolognese “Automobili Lamborghini”duke pranuar të gjitha sfidat e kohës, në bashkëpunim me dy laboratorë të rëndësishëm ndërkombëtarë të “Massachusetts Institute of Technology” ka vendosur të hedhë hapat e parë për të ndërtuar një supersportive (siç e ka në traditë) elektrike, me logon e Demit të tërbuar.

Objektivat e kësaj iniciative janë të shumtë dhe përfshijnë pesë drejtime si sistem magazinimi të energjisë, përdorim të materialeve inovative dhe me impakt të ulët ndaj ambjentit, sistem motorik të ri, një design vizionar dhe më kryesorja, një guidë emocionuese (elektrike).

“Lamborghini duhet t’i japë jetë ëndërrave të gjeneratave të ardhshme” deklarojnë nga Sant’Agata dhe kjo nuk është një sfidë e thjeshtë.

Mbi sistemet e reja të magazinimit të energjisë, Lamborghini duket se nuk është e kënaqur me bateritë e thjeshta të propozuara deri tani nga tregu dhe ka vendosur të punojë në një drejtim të ri për prodhimin e një superkondensatori. 

Logjikshëm nga këtu lind edhe objektivi i dytë, nevoja e përdorimit të materialeve inovative për të mundësuar një produkt teknologjik avantgarde në çdo kohë.

Terzo Millenio vetëriparohet. Nëse fjala avantgarde shpesh përdoret në formë metaforike, në këtë rast, Lamborghini meriton këtë term në mënyrë ekskluzive. Teknologjia me të cilën po punohet është një risi absolute duke ofruar një makinë të ndërtuar me fibra të përbëra të posaçme, të cilat skanohen nga një sistem monitorimi dhe në rast dëmtimesh apo krisje të vogla në rast aksidenti identifikojnë dëmin dhe aktivizojnë fibrat të cilat mund të ragojnë duke çuar molekula të cilat e ngjisin krisjen dhe rikthejnë makinën në gjendje të sigurtë.

Sistemi i magazinimit të energjisë kombinohet këtu me një zgjidhje të re inovative për sa i përket motorizimit. Skema e re parashikon nga një motor për çdo rrotë duke e bërë Terzo Millenio me tërheqje integrale. Kjo zgjidhje ofron shumë avantazhe si fuqi të gatshme menjëherë (tipike e motorëve elektrikë) rekuperim energjie në frenim dhe mbi të gjitha një liri në design të makinës duke mos patur më motorin e madh endotermik si pengesë.

Lamborghini Terzo Millennio është një produkt vizionar i cili ka si objektiv edhe të tregojë stilin dhe design-in e makinave të ardhshme që Lamborghini do të prodhojë, duke patur parasysh ndryshimet e mëdha në teknologjinë prodhuese.

Emozionet mbeten një element themelor për një hypercar dhe për një hyperbrand. Megjithëse teknologjia po ndryshon, nuk do të ndryshojnë pasioni, adrenalina dhe emocioni që ndjen çdokush ulet në një timon Lamborghini. Fuqia dhe reaktiviteti i motorit së bashku me kontrollin dhe tërheqjen integrale do të përmirësojnë ndjeshëm guidën sportive, duke garantuar të gjithë se Terzo Millenio, edhe pse elektrike, mbetet një Lamborghini, markë kjo që duhet të jetë një premtim i mjaftueshëm për këdo.