na ndiq ne

Lamborghini Aventador LP 780-4 Ultimae

10/07/2021

V12 në aktin e fundit?

12 cilindra në formë V 60°, fuqi herkulike, shoqëruar nga një simfoni frymore janë një veçori që shoqëron krijesat e prodhuara në Sant’Agata Bolognese që nga viti 1963.

Lamborghini është një ndër markat që pavarësisht evolucionit, në disa aspekte nuk ka ndryshuar thuajse fare, falë zotit! Për fat të keq ama, kjo kryevepër motorike është në aktin e saj të fundit. E prezantuar pak më parë si njësia motorike e modelit të pagëzuar Aventador LP 780-4 Ultimae, V12 dorëzon stafetën.

Pas kësaj, Lamborghini do të duhet t’i nënshtrohet normativave të fundit antindotje, që na çon në drejtimin e mjeteve hibride apo edhe 100% elektrike, siç kemi parë me prototipin Terzo Millenio.

600 njësi për 600 fatlumë do të vihen në dispozicion nga Lamborghini, ku mund të zgjidhet midis versioneve Coupé (350 njësi) dhe Roadster (Cabrio, 250 njësi).

Porositë do të fillojnë në muajin tetor dhe duket se interesi është i lartë për këtë model të cilit me të gjitha gjasat do t’i rritet vlera ndër vite, si njësia e fundit V12 safì, siç “qëmoti” bëheshin makinat sportive.

Po çfarë vendos në pjatë Lamborghini me këtë model të fundit Aventador LP 780 Ultimae?  6.500 kubikë, 780 kuaj fuqi, 0-100 për vetëm 2,8 sekonda, 0-200 për vetëm 8,7 sekonda dhe 355 km/h shpejtësi maksimale. Ndërkohë që raporti peshë – fuqi është vetëm 1,98 kg/kalë.

Çmimi i këtij xhevahiri italian nuk është deklaruar ende, por mendohet se do të jetë pak më pak se 350.000 euro si çmim i parë, pavarësisht se me personalizimet praktikisht të pafundme, mund t’i afrohemi edhe dyfishit të shifrës bazë. Pa merak, me siguri Lambo ofron edhe Leasing financiar për ata që preferojnë të paguajnë me këste 🙂