na ndiq ne

Koenigsegg Gemera

10/03/2020

1.725 kuaj fuqi për një GranTourismo me katër vende

Prodhuesi suedez, është gjithmonë në gjendje të tërheqë vëmendjen e të apasionuarve pas shpejtësisë dhe rekordeve.

Pas modelit Agera, kundërshtari i Hennessey Venom F5 në betejën për makinën më të shpejtë në botë, Koenigsegg sjell një tjetër “ulërimë” në tregjet botërore. Quhet Gemera, është hibride dhe ka katër vende, arsye për të cilën prodhuesi përdor edhe termin Mega GT.

Me fjalë të tjera, krijohet kështu një segment i ri i cili do të rrisë klientelën e markës së rekordeve. Mega GT do të thotë që kemi të bëjmë me një hypercar, praktike si një GranTourismo (GT). Kjo konfirmohet nga fakti që Gemera ka një hapje midis dy akseve prej 3 metrash ndërkohë që gjatësia totale është 4,97 metra, gjerësia është 2 metra dhe lartësia vetëm 1.29metra. Struktura e kësaj makine është realizuar në karbon dhe pesha totale është 1.715 kg (pa asnjë lëng motori dhe benzinë).

Flasim pak për shifra? Koenigsegg Gemera ka një fuqi totale rekord prej 1.725 kuaj që zhvillohet nga një motor endotermik dhe tre motorë elektrikë. Motori me djegie të brendshme ka vëllim 2.000 kubikë me benzinë dhe zhvillon 600 kuaj fuqi ndërsa motorët elektrikë (dy mbrapa dhe një përpara) zhvillojnë 1.115 kuaj fuqi. Një tjetër shifër rekord është edhe momenti rrotullues i cili kap vlerën “galaktike” 3.500 Nm falë kombinimit të fuqisë së katër motorëve. Me fjalë të tjera, duhet të vendosni pambuk nën këmbë që të përkëdhekni pedalin, ndryshe fuqia që shkarkon në tokë Gemera është e pakontrollueshme. E gjithë kjo panoramë është e shoqëruar nga një zhurmë unike që vjen nga marmitat vertikale të realizuara me porosi nga kompania sllovene Akrapovic.

Si ta shpjegojmë këtë fuqi … Gemera arrin shpejtësinë 400 km/h ndërsa koha nga 0-100km/h është vetëm 1.9 sekonda. Gemera është në gjendje të arrijë shpejtësinë 300km/h vetëm me motorët elektrikë me një autonomi që shkon deri në 50 km, dmth me zero ndotje. Nuk kemi ende informacione mbi konsumin e benzinës, por Gemera ka një autonomi prej 1.000 km e ndihmuar edhe nga motorët elektrikë.

Si arrihet që një makinë e gjatë 5 metra të jetë edhe performante dhe dinamike? Këtu me siguri ndihmon shasia prej karboni e derdhur në bllok, tërheqja integrale 4×4 dhe aksi i pasëm aktiv, i cili reagon ndaj lëvizjeve të timonit duke prerë lehtë edhe rrotat e pasme.

Kjo e fundit garanton manovrim në guidën në qytet dhe stabilitet në shpejtësi të mëdha. Thamë që Koenigsegg Regera është një GranTourismo, apo jo? Është pikërisht kjo arsyeja pse projektuesi e ka pajisur Regera-n me kapje Isofix (për ulëset e foshnjave), sisteme Adas si frenimi i emergjencës, ruajtja e korsisë, sinjalizimi i këndit të verbër, etj. Ne bord ofrohet gjithashtu wi-fi, klimatizator me tre zona dhe ekranë komandimi për infotainment edhe për pasagjerët e pasëm. Të gjitha sediljet janë me material memory foam, me ngrohje dhe ftohje dhe me tetë vende gotash, 2 për çdo pasagjer, një për pije të ftohta dhe një për pije të nxehta. Ne nuk këshillojmë pijet e nxehta në një makinë që ecën me 400km/h, por gjithsesi, si ta mendoni 😊

Çmimi? Ende jo zyrtar, duhet të jetë rreth 1.5 milionë euro. I arsyeshëm apo jo?