na ndiq ne

Koenigsegg Agera RS – makina më e shpejtë në botë

19/11/2017

Duket se sfida për të prodhuar makinën më të shpejtë në botë (prodhim serie) mbetet ende e hapur. Vetëm pak kohë pas prezantimit të modelit Venom F5 nga Amerikani  John Hennessey, kandidate (ende në letër) të jetë ajo makina më e shpejtë në botë, nga suedezët e Koenigsegg, testuan dhe publikuan rekordin e ri. Zyrtarisht (mbetet ende për t’u rregjistruar), makina më e shpejtë në botë është Koenigsegg Agera Rs e cila në një test të përsëritur disa herë vendosi rekordin impresionues në testin tipik 0 – 400 km/h – 0 për vetëm 36.44 sekonda. Me këtë rekord të ri, rivalja e përjetshme Bugatti Chiron mbetet mbrapa me disa sekonda.

Bugatti ka qenë edhe më parë konkurrente në këtë rekord me paraardhësen e Bugattit Chiron, Veyron Supersport, e cila arriti në “vetëm” 431 km/h në vitin 2010. Në vitin 2014 ky rekord u thye  nga amerikania Hennessey Venom GT me 435 km/h, rekord i rregjistuar në Florida. Rekordi i Venom GT nuk u zyrtarizua kurrë për arsye mospërmbushjeje të disa kushteve të konkursit.

Tani, Bugatti duket se detyrohet sërish të lerë fronin. Agera RS ka kryer testet në një autostradë të drejtë dhe të gjatë midis Las Vegas dhe Pahrump në shkretëtirën e Nevadas. Kusht për testet është përshkimi i të njëjtës rrugë në të dy kahet për të evituar rezultate të ndikuara nga drejtimi i erës, që në shpejtësi të mëdha ndikon jo pak.

Autostrada në këtë rast ishte e mbyllur për trafikun dhe Agera RS mundi të shkarkojë në asfalt të gjithë fuqinë e saj. Shpejtësia mesatare e arritur dhe rekordi i ri në rrugë është 445km/h në të dy kahet e testit ndërkohë që shpejtësia maksimale arriti majën 460 km/h. Në timon të kësaj bëme ishte piloti zyrtar i Koenigsegg Niklas Lilja.

Disa nga parametrat e Koenigsegg Agera RS argumentojnë qartë rekordin e arritur.

Makina është e gjatë 4.29m, e gjerë 2.05m dhe e lartë vetëm 1.12 m. Serbatori i saj mban 82litra benzinë dhe pesha totale e makinës është 1.295 kg neto dhe 1.395 kg në kushte rruge, që përfshin serbatorin plot dhe çdo lëng tjetër të nevojshëm për funksionim.

Motori është një biturbo 5.000 kubikë me përbërje alumini, me 8 cilindra të vendosur në formë V dhe zhvillon një fuqi prej 1.360 kuaj me një moment rrotullues unik 1.280 Nm në vetëm 4.100 xhiro/min.

Lajm i keq vjen për të gjithë ata që duan të transportojnë shumë bagazhe me këtë makinë: kapaciteti është vetëm 150 litra 😊