na ndiq ne

Kia Sportage rinovohet

27/07/2021

Gjenerata e re i shkel syrin të ardhmes

Suv-i korean vjen zyrtarisht në gjeneratën e tij të pestë e cila do të jetë e pranishme tek konçesionarët brenda këtij viti. Njëlloj si gjenerata e mëparshme edhe gjenerata e re bazohet në të njëjtën platformë të përbashkët me Hyundai Tucson.

Estetikisht duket se dëshira për t’u shkëputur nga gjenerata e mëparshme ka qenë një orientim i fortë. Kjo duket qartësisht edhe në përmasa. Kia Sportage e re është 466 cm e gjatë (18cm më e gjatë se gjenerata e mëparshme) 186 cm e gjerë (njësoj me modelin e mëparshëm) dhe 166 cm (2 cm më shumë). Rritet edhe distanca midis dy akseve, 275 cm kundër 267 cm të modelit të mëparshëm. Hapësira në bord rritet edhe për bagazhet. 637 litra kundër 480 litrave të mëparshme e bëjnë këtë makinë edhe më shumë familjare. Me siguri këto përmasa çojnë lart edhe shigjetën e peshores, por le të presim shifrat zyrtare.

Design-i i Sportage-t të ri është më modern dhe më kompleks krahasuar me modelin e mëparshëm. I titulluar “Opposites United” (bashkimi i të kundërtave), Kia Sportage e re braktis format e thjeshta dhe të rrumbullakëta dhe sjell forma më të “tendosura” dhe gjeometrike. Dritat e ditës janë në formë boomerang-u dhe janë të orientuara vertikalisht, në krah të të cilave, thuajse jashtë maskerinos gjenden të pozicionuar fenerët. Një vijë e kromuar bashkon dy kulmet e dritave të ditës Led ndërsa maskerino e zezë humbet formën tradicionale të “gojës”, element tipik në të gjitha gjeneratat e mëparshme.

Në profil linjat janë më të thjeshta me tendencën për të treguar pak muskuj në zonën e parafangove si dhe faktin që Sportage e re ka një brez të lartë me sipërfaqet e xhamit që ngushtohen, sidomos në dyert e pasme dhe dritaret e vogla mbi zonën e bagazhit. Pjesa e pasme na duket ndoshta më e realizuar se pjesa tjetër e makinës ku sërish një tendencë për ta bërë Sportage-n e ri më sportive duket në faktin se pjesa e pasme e parakolpit është e ngritur dhe integron zonën e targës.

Edhe më moderne, Kia Sportage 2021 duket nga brenda. Kruskoti është i dominuar në mbi 2/3 e tij nga një ekran i madh Led i harkuar me orientim të lehtë drejt shoferit. Mbi bllokun e timonit përpara shoferit gjendet kuadri 100% dixhital dhe djathtas tij është i vendosur ekrani me funksionet infotainment. Poshte tij gjenden komandat e klimatizatorit. Ende më poshtë, në ndarësen midis shoferit dhe pasagjerit, gjejmë një bllok komandash të vendosura horizontalisht ku zhdukja e levës së marshave është elementi që bie më shumë në sy.

Sportage i ri do të jetë i disponueshëm me motorizime benzine, diesel dhe hibride (full dhe plug-in), sërish në mënyrë të ngjashme me Hyundai Tucson-in e ri.

Benzina do të ketë njësinë me 4 cilindra 1.600 kubikë TGDI me fuqi 180 kuaj dhe kambio automatike me shtatë marsha dhe dopio freksion. Kia ofron ende mundësinë e kambios manuale me gjashtë marsha. Duket se do të kthehet një njësi me naftë 2.000 kubikë me fuqi 186 kuaj, e përmirësuar në drejtim të normativave antindotje, e cila normalisht do të jetë një ndër motorizimet kryesore për tregun tonë.

Nga ana e guidës, Sportage i ri vjen me një program të dedikuar në të cilin mund të zgjidhni midis  Comfort, Eco, Sport, Smart dhe Terrain Mode, kjo e fundit natyrisht për ecjen jashtë asfaltit.

Tërheqja 4×4 është e llojit “on demand”. Kjo domethënë që tërheqja është normalisht përpara dhe nqs nevojitet aktivizohet edhe në aksin e pasëm. Për modelet me ndihmesë elektrike, ofrohet programi i guidës, E-Handling, që sipas Kia-s përmirëson performancën e makinës në çdo aspekt.

Të dhëna të tjera pritet të zbardhen ende në lidhje me motorizimet, paketat e opsioneve dhe çmimeve zyrtare, që në Shqipëri do të ofrohen nga Mektrin Motors, tashmë zyrtarisht distributori zyrtar i prodhuesit korean për vendin tonë.