na ndiq ne

Kia prezanton Sorento-n e re

07/04/2020

Suv-i nga Koreja është rritur

Anulimi i autosallonit të Gjenevës ishte një humbje e madhe për organizatorët dhe për të gjithë prodhuesit që ishin përgatitur të ekspozonin modelet e reja për 2020. Ndër to ishte edhe gjigandi korean Kia që do të prezantonte ndër të tjera edhe modelin e ri Sorento. Tani publiku do të mund ta shohë atë drejtpërdrejt në autosallonet e gjithë Europës në periudhën korrik – shtator.

Si është Kia Sorento e re? Si fillim përmasat janë thuajse të pandryshuara. Shasia është e re, por gjatësia rritet vetëm me 1cm (481cm total) dhe gjerësia po ashtu (190 cm) ndërsa “premtimi” më interesant vjen nga hapja ndërmjet akseve që është rritur me 3.5 cm, normalisht në dobi të pasagjerëve. Duke patur parasysh që një SUV i madh duhet në rradhë të parë të garantojë komoditetin, Kia ka ndryshuar edhe sistemin e amortizimit për të patur më shumë komoditet dhe më shumë dinamikë në guidë. Pamja e përgjithshme e modelit të ri është e rëndësishme dhe moderne. Design është orientuar që të ruajë vazhdimësinë me modelin paraardhës, por duke e modernizuar atë. Maskerino gjigande që përfshin edhe fenerët brenda është një element i ri për Kia-n i cili rezulton një element i goditur. Profili ka linja harmonike me një “prerje” sportive që evidentohet nga këndi i xhamit dhe kabinës në zonën e pasme ndërsa nga mbrapa Sorento ka një pamje solide me elementë të kromuar në të cilët prodhuesi korean nuk është kursyer.

Nga brenda design mbetet relativisht tradicional, por Kia premton se është rritur cilësia e materialeve të përdorura. Vëmendja ndaj teknologjisë dhe detajeve sjellin një makinë bashkëkohore. Ekranet Led zënë një vend kryesor në hapësirën e brendshme. Kuadri dixhital ka përmasa 12.3” ndërsa infotainment ka përmasa 8” ose 10,25” në varësi të versionit. Leva e kambios është zhdukur për t’i lënë vendin një rotulle në stilin e modeleve të grupit Jaguar Land Rover.

Nga ana motorike spikat motorizimi hibrid i bazuar në njësinë motorike 1.600 kubikë  shoqëruar nga një motor elektrik me 60 kuaj fuqi. Fuqia totale e sistemit është 230 kuaj. Kambio është automatike me (vetëm) gjashtë marsha.

Përveç kësaj, Sorento ofron edhe mundësinë e motorit me naftë i bazuar në motorin tradicional 2.200 kubikë me 202 kuaj fuqi. Kambio automatike në këtë rast është me dopio freksion dhe e robotizuar me tetë marsha.

Elektronika ka në këtë model një zë të rëndësishëm pasi mundëson kontrollin e tërheqjes, ndarjen e fuqisë në akse sipas terrenit dhe raportet e kambios automatike. Fuqia në rrota kontrollohet në mënyrë autonome për secilën prej tyre dhe garanton tërheqje optimale në guidën jashtë asfaltit kur mund të ndeshim edhe baltë, rërë apo borë.

Kia Sorento është edhe e pajisur me një sërë sistemesh Adas. Shitjet do të fillojnë në gjysmën e dytë të vitit, por ende nuk kemi listën e çmimeve për versionet që Kia Sorento e re do të ofrojë.