Kia prezanton ProCeed
Kur thua “shooting brake”, emrat e parë që të vijnë ndërmend janë Mercedes, me modelin CLS apo Porsche, me modelin Panamera, të cilët kanë guxuar të propozojnë një variant “familjar” nëse mund të quhet kështu, të një modeli sportiv.
Por kur mendon dy marka të tilla, menjëherë e kupton që janë modele për pak fatlumë që mund t’ia lejojnë vetes një kapriço sportive dhe familjare në të njëjtën kohë. Po nqs edhe një person me të ardhura më “normale” dëshiron të posedojë një makinë të tillë?
Duket se Kia i përgjigjet me modelin Proceed, një model me ambicie sportive që derivon nga familja Ceed, e plotë me modelin hatchback dhe station wagon deri tani.
Kia Proceed, në versionin e ri vjen me linja atraktive, me design të përpunuar dhe me detaje të kuruara.
Motorët janë sportivë me versionin e benzinës 1.600 kubikë, me katër cilindra dhe turbo, në gjendje të zhvillojë 204 kuaj fuqi, por ka edhe versione më të buta, si 1.400 kubikë me benzinë, me turbo dhe injeksion direkt, që zhvillon 140 kuaj fuqi.
Nafta mbetet e disponueshme për prodhuesin korean, me versionin1.600 kubikë, në gjendje të zhvillojë 136 kuaj fuqi. Në të ardhmen, në vitin 2020 priten të vijnë edhe versionet hibride “mild hybrid” (me vetëkarikim) dhe “plug-in” (me karikim me korent).
Çmimet e Kia Proceed duket se do të vërtiten midis 25 – 30 mijë euro. Si e gjykoni këtë çmim për këtë veturë?