na ndiq ne

Jeep Grand Wagoneer

04/09/2020

Një maksi Suv amerikan?

Segmenti SUV prej kohësh në modë duket se nuk njeh më kufi. Përveç luftës që bëhet në segmentet e “poshtme” ku modele të reja kompakte lulëzojnë çdo ditë, konkurrenca shtohet edhe në segmentet e luksit, ku prej kohësh Land Rover apo Mercedes e gjejnë veten të “rrethuar” nga X7, Q8 dhe tani nga ky propozim (italo)amerikan i kolosit Jeep.

Modeli i ri quhet Wagoneer, ose më saktë Grand Wagoneer, sepse emri Wagoneer do të jetë një sigël që shënon lindjen e një gjenerate të re makinash. Një version Wagoneer, më i shkurtër se Grand Wagoneer do të pasojë në vijim.

Pak e dinë se Wagoneer është prodhuar për herë të parë në vitin 1962 dhe mund të konsiderohet paraardhësi i modeleve SUV luksozë që ne njohim sot. Range Rover i parë është prodhuar shtatë vjet më vonë.

Grand Wagoneer është gjigande, siç mund të jetë një maksi Suv amerikan. Për ta përmbledhur, shtatë persona “jetojnë” lirisht brenda tij.

Pjesa tjetër siç shihet në foto, nuk lë shumë për të dëshiruar. Maskerino masive, fenerë Led sipas teknologjisë bashkëkohore dhe rrota gjigande me përmasa 24” nën parafangot tipike Jeep me formë katrore.

Brenda gjejmë një bollëk të madh ekranesh Led për të gjithë pasagjerët, përfshirë pasagjerin e parë në krah të shoferit. 12.3” kuadri tërësisht dixhital, 12.1” infotainment, 10.25” ekrani i infotainment për pasagjerin e parë dhe një tjetër ekran 10.25” poshtë ekranit të infotainment për komandat e tjera të makinës si klimatizatori, sediljet, etj.

Tre ekranë të tjerë ofrohen për pasagjerët mbrapa ndërsa projekti audio është i kuruar nga kompania ekselente e botës audio McIntosh e cila ka vendosur plot 23 altoparlantë për një eksperiencë audio unike.

Pjesa tjetër e brendshme është vërtet e kuruar në detaje me materiale cilësore duke kombinuar alumin, dru dhe mikrofibër në zonat e ngurta ndërsa sediljet dhe veshjet e tjera përdorin lëkurë të cilësisë së parë dhe moket në pjesën e poshtme. Në disa versione do të përdoret një material i quajtur Pur i cili është ekologjik (i ricikluar) por që ofron ndjesinë e lëkurës kur e prek.

Dimë shumë pak për motorët, por Jeep premton se do të ketë patjetër versione të elektrifikuara duke filluar nga versionet hibride Plug-in.

Si do të jetë guida jashtë asfaltit? Për mos u shqetësoni! Është një Jeep.