na ndiq ne

Jeep Grand Cherokee Trackhawk

25/01/2018

Segmenti SUV është kthyer tashmë edhe në terrenin ideal për të treguar “muskujt”. Kështu, duke krijuar në “shteg” të ri në këtë drejtim, prodhuesi amerika Jeep, i mirënjohur për të kaluarën e lavdishme të automjeteve të tij “off – Road” (jashtë asfaltit) propozon një mjet ekstrem si Grand Cherokee Trackhawk, një konkurrent potencial dhe agresiv i Porsche Cayenne Turbo, BMW X6M, GLC AMG, Range Rover Autobiography, etj.

Jeep Grand Cherokee është në fakt një suv për të cilin flasin vetë numrat: motor V8 me 6.200 kubikë që zhvillon 700 kuaj fuqi (në 6.000 xhiro), moment rrotullues 868 Nm në 4.800 xhiro, dhe një sprint unik 0-100km/h për vetëm 3.5 sekonda.
Nëse ende nuk e bëni mirë lidhjen midis këtyre shifrave dhe markës “off Road” mund të sjellim në vemendje që në Shtetet e Bashkuara ky model makine është një objekt kulti i rrënjosur thellë në kulturën automobilistike amerikane.

Lloji dhe fuqia e motorit (V8, 6200 kubikë me kompresor volumetrik) duket sikur i përkasin të kaluarës (në Europë vëllimi dhe teknologjia motoristike kanë ndryshuar mjaft) dhe për t’u bindur që kjo njësi në fakt është tipike amerikane, mjafton të dimë që është e njëjta me atë të Dodge Challenger, një miti amerikan në sektorin e motorëve që “gjëmojnë”.

Pjesa tjetër e makinës ama ka linja shumë më aktuale për nga design dhe sofistikimi teknologjik. Tërheqja bazohet në të katër rrotat aktive Quadra-Trac të kombinuara me kambion automatike TorqueFlite me tetë marshe, amortizatorët Bilstein dhe një sistem frenimi te fuqishëm me pinca Brembo, siç e do tradita sportive. Rezultati i këtij motori bazuar në këtë telajo, sipas shifrave të përmendura më lart, është një makinë e fuqishme me performance brutale.

Trackhawk, pas provave të shumta në pistë, duket se e ka kaluar më së miri provimin. Specialistët e Jeep thonë se timoni mbrohet mirë përsa i përket shpejtësisë në reagim dhe duket në lartësinë e duhur kur rrotat fillojnë të ecin në pistë. Frenimi është i fuqishëm dhe pjesa e pasme e makinës reagon mirë dhe është lehtësisht i menaxhueshëm edhe në modalitetin Track, njësia që kontrollohet më pak nga elektronika, por që me këtë fuqi rekomandohet vetëm për ekspertët.

Sigurisht duhet të kemi parasysh që ky mjet me vetëm dy persona në kabinë tejkalon peshën 2 tonelata e gjysëm, shumë larg peshës ideale për akrobaci në pistë, por gjithsesi mbetet i shpejtë si rrufe kur niset nga gjendja e ndaluar.
Modeli Jeep Grand Cherokee Trackhawk do të jetë disponibël në Evropë pas gjashtë muajsh, në gjysmën e dytë të vitit 2018. Ndërsa cmimet ende nuk janë bërë të ditur për tregun evropian, por çmimi në tregun amerikan, tashmë i publikuar, mbetet gjithsesi një orientim i vlefshmëm: modeli fillon nga 85.900USD dhe për ata që duan ta personalizojnë pronën e tyre mundësitë janë vërtet të shumta.