na ndiq ne

Jeep Grand Cherokee

11/01/2021

Gjenerata e re gati për debut

E prezantuar herë të parë në vitin 1992, Jeep Grand Cherokee, vjen tashmë gjeneratën e tij të pestë.  Në morinë e modeleve Suv, ky propozim “Made in USA” ka zënë gjithmonë një vend të veçantë për këdo që kërkonte një alternativë ndaj prodhuesve gjermanë, që në Europë kanë qenë referenca.

Prodhuesi amerikan ka një traditë të gjatë në guidën jashtë asfaltit dhe si i tillë ka patur një identitet të tijin në njëfarë mënyre autoritar dhe të besueshëm.

Modeli i ri i Jeep Grand Cherokee prezantohet në versionin L, me “hap” të gjatë dhe shtatë vende. Versioni me 5 vende (edhe në variantin hibrid) do të prezantohet në një moment të dytë, të parashikuar për tregjet europiane diku nga gjysma e dytë e vitit.
Kjo është hera e parë që Grand Cherokee propozohet në dy versione. Versioni “L” i debutit është i gjatë plot 520 cm, 38 cm më shumë se versioni aktual ndërsa distanca ndërmjet dy akseve është 309 cm, 17 cm më shumë se modeli aktual.
Nga jashtë Jeep Grand Cherokee i ri vjen i rinovuar ndjeshëm krahasuar me gjeneratën e mëparshme. Influenca kryesore është ajo e modelit Grand Wagoneer (kliko këtu për të zbuluar Jeep Grand Wagoneer), që shënon edhe debutin e prodhuesit amerikan në segmentin maksi SUV luksoz. Arsye kjo pse edhe Grand Cherokee i ri, nën këtë influencë paraqitet si më luksoz dhe më i kuruar se gjeneratat e mëparshme. Maskerino natyrisht është elementi i risive por edhe i traditës.

Elementët e kromuar në formë çarjesh janë shtatë, si gjithmonë, por vijnë të ndryshuar në gjatësi (më të shkurtër) dhe me një pozicionim më të lartë dhe thuajse vertikal (jo më me pjerrësinë e modeleve të mëparshme). Fenerët janë të hollë dhe thuajse në vijë të drejtë me maskerinon, që së bashku i lënë vendin një goje të madhe të pozicionuar poshtë maskerinos, që lejon thithjen e ajrit nga radiatori.    
Profili në këtë version është “madhosh” me “bishtin” me përmasa të bollshme, ndërsa tradita ruhet nga forma katrore e parafangove, tipike e modeleve Jeep të viteve të fundit. Pjesa e pasme është në harmoni me pamjen e re që Grand Cherokee sjell, duke ruajtur hapësira të mëdha xhamash, që do të thotë më shumë dritë në kabinë, aspekt gjithmonë i mirëpritur për çdo pasagjer.

Nga brenda rinovimi është edhe më i dukshëm dhe përshkrimi “luksoz” na duket më i përshtatshëm se në çdo gjeneratë tjetër të mëparshme. Nëse duhet t’i bëjë ballë konkurrentëve si Audi Q7, BMW X5 apo Mercedes GLE, përmirësimi ishte një kusht i domosdoshëm. Duhet të pranojmë këtu ama se Grand Cherokee i ri është vërtet tashmë një konkurrent agresiv. Design-i është më i freskët dhe me linja më të buta se gjeneratat e mëparshme. Linjat, materialet dhe rifiniturat duken bindshëm një hap përpara. Si rezultat Grand Cherokee i ri ka një paraqitje më teknologjike dhe premium në të njëjtën kohë.

Kujdesi në detaje duket edhe në përzgjedhjen e disa elementeve, siç është impianti audio. Kjo gjeneratë mban firmën e prodhuesit prestigjioz McIntosh. Fuqia e impiantit është 950 Watt dhe cilësia është ajo e një orkestre të padukshme që të shoqëron në bord.
Nga ana mekanike, Grand Cherokee është e ndërtuar për herë të parë në një telajo bllok (një trup i vetëm) me elementë alumini për të lehtësuar peshën, por me përforcime çeliku për të rritur rezistencën ndaj përdredhjeve në kushtet e guidës ekstreme.
Motorët janë me benzinë V6 dhe V8 ndërsa versinet hibride do të vijnë në një moment të dytë. Njësia V6 ka vëllim 3.600 kubikë dhe zhvillon 290 kuaj fuqi ndërsa versioni V8 ka 5.700 kubikë dhe zhvillon 357 kuaj fuqi.

Ende shpejt për të folur për njësinë ekstreme Trackhawk, pavarësisht se për më të apasionuarit, ky version përfaqëson krenarinë “Made in USA”.
Kambio është automatike me tetë marsha ndërsa tërheqja është normalisht integrale4x4, por ofrohet edhe një version me tërheqjen vetëm mbrapa.  Shasia ofron pesë gradime lartësie: Normal, Off-Road 1 dhe 2, Park dhe Aero me 10.6 cm ekskursion dhe aftësi zhytjeje deri në 61 cm thellësi.
Programi i guidës quhet Selec-Terrain dhe ofron pesë opsione: Auto, Sport, Rock, Snow, Mud/Sand dhe ofron një përgjigje të kombinuar të motorit, tërheqjes, frenave, timonit, sistemitABS, amortizatorëve dhe ESP (kontrollit të stabilitetit). Në fund, sistemi Descent Control është aktiv edhe në ecjen mbrapsh, më se e dobishme në raste ngjitjesh ekstreme. Jeep Grand Cherokee ka një aftësi zhytjeje në pellgje (ujë) deri në 61 cm thellësi.

Në tërësi rinovimi i modelit të ri na duket rrënjësor dhe plotë. Mjaftueshëm për të luftuar konkurrencën? Shpejt të gjykojmë për rezultatin, por me siguri premisat janë më të mira se për çdo gjeneratë të mëparshme. Faktor tjetër i rëndësishëm mbetet çmimi, ende i pazbuluar.