Jeep Compass
Duket si një bukuroshe pas një trajtimi estetik kjo Compass e re nga Jeep. E bazuar mbi strukturën mekanike të Renegade (një model binjak i kompanisë amerikane) ky model vjen tashmë me një frymëzim të ri: ngjashmëria me modelin Grand Cherokee është e madhe aq sa të duket një variant i kësaj të fundit disi më kompakt. Ndër detajet që godasin që në fillim mund të përmendim maskerinon tipike Jeep me 7 gojëza të rrethuara më një linjë të kromuar shkëlqyese. E njëjta linjë e kromuar shoqëron rrethimin e dritareve dhe shkon deri tek tavani në pjesën e pasme.
Kjo veturë ofrohet me motora benzine dhe diesel me fuqi që varion nga 120 deri në 170 kuaj fuqi.
Motori 2.0 diesel multijet është ai i versionit që besojmë do të ketë më shumë sukses duke njohur klientelën shqiptare.
Jeep ofron nje listë të gjatë aksesoresh dhe pajisjesh por frenimi i emergjences automatik dhe sistemi i ruajtjes së korsisë janë pajisje të përfshira në cdo version të mundshëm.
Nga brenda ky model i ri bind për një mix elementesh të ekuilibruar duke dhënë një pamje cilësore dhe harmonike megjithëse të thjeshtë. Komandat në timon dhe ato në kruskot janë praktike dhe funksionale. Nga ana teknologjike, gjithsesi Jeep Compass ofron në bord radio digitale dhe një ekran 7” ku lexohen mirë të gjitha funksionet e ofruara. Ky sistem është i përshtatshëm për sinkronizim me Apple Car Play dhe Android Auto. Me pagesë extra ofrohet një ekran më i madh (8.4”), navigatori satelitor dhe sistem audio Hi-Fi me një cilësi superiore dhe i pajisur me subwoofer.
Duke kaluar tani tek ajo që është edhe zemra e kësaj makine, vërejmë se motori 2.0 multijet është në gjendje ta shtyje pa sforco masën e kësaj makine. Nuk duhet të priten kohë prej makine sportive, por 9.9 seconda për të arritur 100km/h, nuk është një kohë e keqe, sidomos nëse mendojmë se për këto ritme nevojiten vetëm 5.7litra/100km, sipas sa deklaron Jeep. Deri në shpejtësinë 100-110km/h izolimi akustik është i plotë, por shpejtësia maksimale arrin deri në 190km/h. Kjo makinë është një 4×4, por në kushte normale, aksi tërheqës është ai i përparmi dhe në rast nevoje, fuqia kalon menjëherë edhe në rrotat e pasme. Në bllokun e komandave, gjendet mundësia e përzgjedhjes së guidës sipas terreneve që do të përshkohen: rëre, gjol, borë apo automatike, që është guida e zakonshme në qytet.