Jaguar XF Sportbrake: Të njofton kur je i lodhur
Modelet “station wagon” ose “familjare” janë në përgjithësi pak të preferuara nga tregu shqiptar. Këto makina nganjëherë klasifikohen si makina për “xhaje” ose një “deformim” i versionit të bukur sedan (ose berlinë). E vërteta është që një makinë, çdo makinë, është një mjet i dobishëm në rradhë të parë dhe në vend të dytë vijnë ndoshta bukuria (e kush thotë që station wagon nuk është e bukur?) dhe cilësi të tjera. Nevoja për hapësirë nuk mund të kushtëzohet nga asnjë kriter, aq më shumë nëse keni kërkesa specifike, psh. mbani kafshë shtëpiake apo jeni të dhënë pas sportit (mendojmë këtu ski apo surf, etj).
Kështu, Jaguar vjen me një propozim më se interesant me modelin e fundit XF Sportbrake i cili duket se ka letrat në rregull për të qenë agresiv kundrejt konkurrencës gjermane që këtu dominon tregun me treshen e pandashme Audi A6 Avant, BMW seria 5 Touring dhe Mercedes E Class SW.
Kështu Jaguar XF Sportbrake vjen së pari me përmasat më të mëdha në këtë kategori me 495.5cm gjatësi dhe 188 cm gjerësi. Bagazhi është fleksibël me kapacitet 565 litra në versionin bazë dhe me kapacitet maksimal deri në 1,700 litra me sediljen e pasme të palosur.
Nga brenda gjejmë një kabinë të ndriçuar bollshëm nga tavani panoramik me 1.6m2 sipërfaqe xhami! Hapësira është e përmirësuar sidomos për pasagjerët e pasëm në zonën e këmbëve dhe të kokës (avantazh i të gjithë modeleve SW).
Një monitor 10” Touch Pro është partneri i shoferit për të gjitha funksionet e infotainment (informacion dhe zbavitje). Driver Condition Monitoring është sistemi që monitoron kushtet fizike të shoferit dhe sinjalizon kur zbulon se shoferi është i lodhur dhe duhet të bëjë një pushim.
Sipas komunikimit zyrtar nga Jaguar, XF SW vjen me veti dinamike të shkëlqyera duke filluar nga perdorimi masiv i aluminit që mundëson uljen e peshës. Jaguar XF peshon vetëm 1.660kg. Amortizatorët e pasëm janë me ajër dhe sistem vetërregullues. Vetitë dinamike konfirmohen padyshim nga prania e AWD (all wheel drive), pra me të katër rrotat aktive. Jaguar Land Rover sjell në këtë version edhe sistemet All Surface Progress Control (ASPC), Adaptive Surface Response (ASR) and Intelligent Driveline Dynamics (IDD) të cilët ofrojnë aderencën maksimale në kushte të ndryshme atmosferike.
Motorët e propozuar mbulojnë gamën me kater dhe gjashtë cilindra duke filluar nga 2.0 turbodiesel për të cilin Jaguar deklaron 163 kf dhe konsum mesatar 4.5 litra/100km. Për ata që janë më kërkues nga makina e tyre zgjedhja duhet të orientohet drej versioneve me gjashtë cilindra ku ofrohen 3.0 diesel V6 me 300 kf i cili premton një sprint 0-100 km/h në 6.1 sekonda dhe versioni i benzinës vjen akoma më i fuqishëm me motorin 3.0 V6 “i superushqyer” (supercharged) , me 380 kf dhe një kohë 0-100km/h për vetëm 5.5 sekonda.
Mbetemi në pritje të çmimit zyrtar për tregun tonë, duke shpresuar të mos ndryshojë shumë nga ai i deklaruar për tregun anglez, i cili është 39.500eur.