na ndiq ne

Jaguar XE SV Project8

30/05/2018

Të bësh një veturë cilësore, me linja sportive, performante dhe me cilësi në detaje, për një markë si Jaguar është shumë e thjeshtë (lexo këtu artikujt e tjerë mbi Jaguar). Kështu modeli XE është i ndërtuar mbi një shasi alumini, është e ulët nga toka dhe ofron motorë performantë. 

Të krijosh një sedan me performacë sportive ekstreme që ruan katër dyer dhe katër ose pesë vende, nuk është një detyrë e thjeshtë për askënd. Kjo ka qënë pikënisja dhe sfida e teknikëve të markës angleze të divizionit SVO (Special Vehicle Operation) që vendosën të marrin një XE dhe ta zhveshin nga çdo detaj normal, me pikësynimin për të bërë diçka ekskluzive. Ky projekt quhet Jaguar SV Project8.


Shasia e përpunuar me amortizatorë me dopio susta mund të ulet deri në 15 mm për përdorim në pistë, janë zgjeruar parafangot për goma më të gjera dhe frenat janë të realizuara në material special karbon dhe qeramikë me pinca frenash me gjashtë piston dhe disqe frenash të zmadhuar me përmasa 40 cm.
Në pjesën e turirit janë bërë ndërhyrje për të mundësuar ftohjen e intercooler-it dhe të frenave që në pistë normalisht stresohen shumë më shumë sesa në kushte normale.

Aerodinamika është përmirësuar me parakolpin e ulur dhe hyrje-dalje të ajrit në zona të ndryshme të cilat optimizojnë ftohjen e motorit dhe garantojnë një ngarkesë aerodinamike deri në 122 kg në shpejtësinë 300 km/h.
Nga brenda makina është e disponueshme me katër vende klasike apo me dy vende dhe struktura mbrojtëse në tuba alumini, sediljet janë prej karboni dhe rripat e sigurimit me katër kapje si makinat sportive për përdorim piste.


Motori është një V8 5.000 kubikë që gjeneron 600 kuaj fuqi. Nga 0 – 100 km/h XE Project8 i duhen vetëm 3.5 sekonda dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 320 km/h. Për momentin është vetura më e shpejtë me katër dyer duke thyer rekordin e mëparshëm për këtë kategori në pistën e famshme Nürburgring në Gjermani.
Jaguar XE SV Project8 do të prodhohet në një seri të kufizuar prej vetëm 300 njësish. Çmimi do të jetë 149.995 sterlina ose afërsisht 175.000 euro.