Jaguar F-Pace SVR rinovohet
Sport dhe luks vijnë edhe me çmim unik
Divizioni “Special Vehicles Operation” (SVO) duket se është angazhuar edhe një herë për të nxjerrë diçka speciale për të apasionuarit e performancës.
Pas debutit të modelit “normal” të Jaguar F-Pace, natyrshëm i vjen rradha edhe versionit ekskluziv SVR. Një nga gjërat e para që na bie në sy është çmimi i këtij SUV-i ekskluziv. Jaguar deklaron një çmim fillestar 77.595 stërlina, që janë diçka rreth 85.000euro dhe pavarësisht se është një shumë e respektueshme parash, kur bëhet fjalë për një Suv performant dhe sportiv me siglën SVR, ky çmim mund të konsiderohet i ulët.
Modeli i ri sjell detaje të reja estetike, por sipas projektuesve vëmendje e veçantë i është kushtuar elementeve që ndikojnë në performancë dhe guidë.
Në qoftë se nga pamja e jashtme F-Pace SVR ka gojëza për ajrin të zmadhuara, kjo nuk pengon aerodinamikën e përgjithshme e cila madje premtohet të jetë përmirësuar.
Pamja sportive theksohet nga element si parafangot plastike dhe gomat 22″ ndërsa nga mbrapa katër tubat e shkarkimit tregojnë se F-Pace SVR din të trashë zërin.
Njësia motorike është ajo e modelit paraardhës 5.000 kubikë V8 dhe fuqia mbetet e njëjtë, por vjen e përmirësuar në punim dhe rendiment.
Momenti rrotullues rritet në 700Nm (nga 680 Nm), shpejtësia maksimale rritet në 286 km/h (nga 282 km/h) ndërsa koha nga 0 – 100 km/h ulet në vetëm 4 sekonda nga 4.3 sekonda i versionit të mëparshëm.
Diferenciali i pasëm është aktiv me Torque Vectoring në gjendje të gradojë mirë fuqinë në cdo rrotë sipas nevojës dhe puthitjes së gomave në rrugë. Frenimi është përforcuar falë ndërhyrjes së ekspertëve të cilët kanë vendosur këtu sistemin Power Booster me disqe me përmasa të bollshme 395 mm.
Si në çdo model të evoluar bashkëkohor, një dorë të mirë në përdorimin F-Pace e jep elektronika. Mund të zgjidhni midis programeve të guides Comfort, Eco, Rain-Ice-Snow dhe Dynamic për të patur gradime që ndikojnë timon, amortizatorë, motor dhe shpërndarje të fuqisë midis dy akseve.
Nga brenda gjejmë një ambjent të kuruar mirë me përpunim të kujdesshëm deri në detaje. Në qendër të kruskotit gjejmë ekranin e sistemit infotainment Pivi Pro me ekran 11,4″.
Posaçërisht për versionin SVR ofrohen edhe detaje estetike në alumin dhe karbon. Sedlijet janë në stilin Performance, të veshura me lëkurë ku pjesa e sipërme është një trup i vetëm me mbështetëset e kokës.
Shkurtimisht, Jaguar i ri F-Pace SVR premton shumë edhe pse konkurrenca në këtë sektor është autoritare. Konkurrentë si BMW X5 M apo Mercedes GLE AMG 63 do të duhet të ndajnë tashmë kuotat e tregut me F-Pace SVR të ri dhe gara është “zyrtarisht” e hapur.