Hyundai Tucson N Line
Sportive si kurrë më parë
Evolucioni nganjëherë duket me vepra. Është ky rasti i kolosit Hyundai i cili ka përgatitur një version të veçantë për modelin e ri të SUV-it kompakt Tucson, një best seller i padiskutueshëm deri tani.
Quhet “N Line” dhe sjell disa risi të rëndësishme në nivel personalizimi që e bëjnë Tucson N Line më të spikatur si nga pamja e jashte ashtu dhe nga brenda.
Kjo paketë stilizimi është e vlefshme për të gjitha motorizimet, duke filluar që nga versionet me benzinë 1.6 T-GDI me 150 dhe 180 kuaj fuqi me sistemin “hibrid të butë” 48 V. N Line mund të përzgjidhet edhe për versionin e vetëm me naftë, 1.6 CRDI me 136 kuaj fuqi, edhe ky mild hybrid, për të respektuar normativat antindotje.
Versionet që në të vërtetë meritojnë të dallojnë disi nga tufa janë ato edhe më të fuqishmet, që në rastin e Hyundai Tucson janë edhe më ekologjike. Versioni hibrid 1.6 T-GDI ka 230 kuaj fuqi ndërsa versioni hibrid Plug-in 1.6 T-GDI (me karikim nga priza) zhvillon plot 265 kuaj fuqi. Jo keq për një Suv kompakt!
Risitë stilistike që Hyundai Tucson N Line sjell janë të shumta, duke filluar nga maskerino. Në këtë rast, maskerino është më e gjerë dhe e pozicionuar pak më lart se versionet normale dhe shoqërohet edhe me siglën N Line të pozicionuar diku tek feneri i djathtë. Parakolpi është më gjeometrik në forma që bien në zy prej dy gojëzave të ajrit më të mëdha.
Nëse maskerino e versionit N Line është më e ngritur, pjesa e pasme është e ridesign-uar dhe më e ulët ku në pjesën e poshtme spikat veshja me një pllakë metalike mbrojtëse. Si në çdo version të përpunuar, tubat e shkarkimit janë të dyfishtë dhe të kromuar. Në profil dallohen disqet e reja me masë R19 dhe me një design të ri me në qendër N e stilizuar dhe siglën N Line në zonën e parafangos së përparme. Ngjyrat e versioneve N Line janë shtatë të cilave i shtohet mundësia e tavanit me ngjyrë tjetër në kontrast me pjesën tjetër të karrocerisë.
Paketa N Line sjell disa të veçanta edhe brenda. Një nga detajet kryesore janë sediljet sportive, me veshje lëkurë kamosh dhe bordet së bashku me mbështetëset e kokës në lëkurë. Qepjet me tegel në kontrast (të kuqe mbi lëkurë të errët) i shtojnë detaje cilësore dhe i bëjnë më ekskluzive.
Ky version parashikon edhe elementë që e pasurojnë në tërësi si klimatizatori me tre zona, sediljet me ngrohje, sistem Cruise Control aktiv, monitorimi i zonës së verbër të pasqyrave dhe (opsionale) mund të shtohen edhe amortizatorët me kontroll elektronik ECS, që i përshtaten guidës dhe kushteve të rrugës.
Hyundai Tucson duket se do të ruajë vendin e tij “ndër të parët e klasës” duke i shkelur tashmë syrin edhe një klientele me pretendime premium.