Hyundai Ioniq 5 vjen së shpejti
Novator në shumë drejtime
Ju kujtohet DeLorean nga filmi “Back to the Future”? Po Hyundai Concept 45 ju kujtohet? Çfarë kanë të përbashkët këto dy modele e kemi thënë në një artikull të mëparshëm (lexo këtu për Hyundai Concept 45).
Ai që në qershor të vitit të kaluar ishte një “concept” tashmë është konvertuar në një model real. Ioniq5, modeli aktual që solli elektrifikimin nën markën koreane, përgatitet për debut të shpejtë të gjeneratës së re.
Hyundai ka publikuar disa foto teaser të mjaftueshme për të ngacmuar të gjithë shtypin ndërkombëtar automotive dhe më gjerë. Prezantimi parashikohet të bëhet diku nga shkurti ndërsa për datën e fillimit të shitjeve duhet të presim edhe pak.
Ky model sjell disa risi. Siç e kemi thënë më parë, Hyundai ka marrë vendimin që t’i japë çdo modeli të ri një karakter të veçantë, jo domodsoshmërisht të ndikuar nga linjat e përgjithshme të design-it të brand-it. Kjo mund të çojë edhe në krijimin e një nën marke të re për një linjë të caktuar modelesh, siç mund të jetë psh. gama e modeleve elektrike.
Me këtë rast, me Hyundai Ioniq5 debuton për herë të parë teknologjia e fenerëve Parametric Pixel, kapaku i motorit është një trup i vetëm me parafangot e para ndërsa dimë ende pak për sa i përket pjesës së brendshme të makinës.
Një nga gjërat e rëndësishme për të cilat Hyundai njofton është shpejtësia e karikimit dhe autonomia. Kjo e fundit është mbi 500 km, ndërsa kohët e karikimit janë diçka vërtet interesante. Vetëm me 5 minuta karikim, Hyundai Ioniq5 është në gjendje të ecë për më shumë se 100 km, ndërsa për 80% të karikimit mjaftojnë 18 minuta. Këto kohë janë të mundura falë sistetmit të ri me 800Volt, në të cilin nuk këshillojmë askënd që nuk është ekspert të futi duart.
Modeli i ri bazohet në platformën e re E-Gmp, e projektuar posaçërisht për modelet elektrike. Kjo platformë mundëson ndërtimin e makinave me ose dy motorë dhe sjell edhe teknologjinë novatore të karikimit V2L (Vehicle-to-Load), i cili për herë të parë mundëson furnizimin me korent 220 volt një pajisjeje që punon me korent. Me fjalë të tjera, çdo herë që do të bëni një piknik, mund të merrni me vete një amplifikator dhe bokse për t’i bërë zili një diskoteke ose për ata që duan të konsumojnë ushqime të ngrohta, mund të merrni me vete edhe një furrë me mikrovalë. Gjeniale apo jo? 🙂