na ndiq ne

Hyundai Elantra e re

21/03/2020

Përforcohen stili dhe teknologjia

Hyundai Elantra është një sedan i prodhuesit korean i cili ndër gjenerata të ndryshme ka shitur gati 14 milionë njësi në të gjithë botën ndërsa debuti i tij daton në vitin 1990. Modeli i ri i cili i përket gjeneratës së shtatë vjen me një dozë risish që synojnë të bëjnë edhe më kompetitiv këtë model të segmentit C, ku konkurrenca në fakt nuk është se mungon.

Nga ana e përmasave, Elantra është i gjatë 467 cm (5 cm më i madh se gjenerata paraardhëse) ndërsa distanca midis dy akseve është rritur 2 cm, gjë që së bashku me optimizimet në projektim, duhet të garantojë më shumë hapësirë në bord. Modeli i ri bazohet në një platformë të re falë të cilës ka një pozicion guide më të ulët, duke i dhënë makinës më shumë stabilitet në ecjet me shpejtësi të madhe.

Le të shohim se çfarë sjell të re Hyundai Elantra 7.0. Stili i ri sjell detaje që bien në sy menjëherë. Maskerino e zmadhuar edhe më shumë se modeli i mëparshëm i përpunuar me forma gjeometrike formon një formë unike me fenerët të cilët zgjerohen anash duke “ngrënë” parafangot. Kjo pamje ballore shoqërohet me një profil të përpunuar në reliev me “gdhendje” gjeometrike ndërsa në pjesën e pasme spikat një vijë Led që bashkon të dy fenerët e pasëm dhe sipas designer-ave të Hyundai, i jep një dimension më të rëndësishëm dhe teknologjik.

Nga brenda Elantra e re është një makinë moderne ku teknologjia shprehet më së miri nëpërmjet një ekrani të madh Led i cili bashkon kuadrin (dixhital) së bashku me ekranin e infotainment. Kuadri ofron grafika të personalizueshme ndërsa infotainment është një nga më të përparuarit e kategorisë. Hyundai Elantra është ndër të parët që ofron ndërlidhjen Apple CarPlay dhe Android Auto pa fije.

Gjithashtu, Elantra ofron edhe mundësinë e një Digital Key, një çelës virtual, i cili memorizohet në smartfonin tuaj dhe mundëson hapjen e makinës dhe ndezjen e motorit në distancë nëpërmjet telefonit. Mendoni për të gjitha herët që duhet të freskoni apo ngrohni makinën tuaj disa minuta para se të hipni në bord! Elantra e re jua ofron këtë mundësi. Nuk mungon gjithashtu edhe opsioni i komandave zanore për të graduar klimatizatorin, ngrohjen e sediljeve apo të kërkoni informacione të ndryshme në internet.

Versionet e para që do të debutojnë në treg (në atë amerikan si fillim) do të jenë të pajisura me motor me benzinë 2.000 kubikë, në gjendje të zhvillojë 147 kuaj fuqi dhe me njësi motorike hibride, që bazohet në motorin 1.6 me benzinë shoqëruar me një motor elektrik që zhvillon një fuqi prej 44 kuajsh ndërsa fuqia totale është 139 kuaj fuqi. Elantra me benzinë është e pajisur me kambio automatike të llojit CVT ndërsa Elantra Hybrid është e pajisur me kambio automatike të robotizuar me dopio freksion. Për këtë të fundit, Hyundai deklaron një konsum mesatar prej 4.5 litrash/100 km.