Hyundai Concept 45
Elektrike dhe origjinale
Hyundai është një markë e quajtur ende e re, pavarësisht se kompania është themeluar në vitin 1967, por në të vërtetë mbetet e tillë në panoramën e kompetitorëve agresivë me zhvillime të rëndësishme bashkëkohore.
Reputacioni i prodhuesit korean ka ardhur në përmirësim dhe kjo lidhet edhe me faktin që në momente të caktuara ka ditur të marrë vendime kurajoze. Këtu mund të klasifikojmë edhe vendimin e tyre të fundit që përcakton se jo çdo model duhet t’i bindet linjave të përgjithshme të design-it të markës. Me fjalë të tjera, nëse do të jetë e nevojshme për t’i dhënë më shumë karakter dhe identitet një modeli të caktuar, ai mund të ketë një maskerino ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, ose në një rast ekstrem, mund edhe të mos ketë maskerino fare.
Për të ilustruar këtë vendim, flet modeli Hyundai 45 EV Concept, një projekt që mund të shohë dritën e konçesionarëve jo më parë se një vit nga sot dhe që natyrisht në versionin final do të ketë një emër të mirëfilltë. Hyundai Concept 45 është një hatchback i lartë me pesë dyer (mund të klasifikohet si një crossover në segmentin C) i zhvilluar në një platformë të zhvilluar posaçërisht për makina elektrike.
Nëse je i pavëmendshëm dhe nuk exon logon e “stampuar” në kapakun e motorit, vështirë të thuash se kemi të bëjmë me një Hyundai. Në fakt vështirë ta afrosh me çfarëdo marke këtë model. Design-i i tij është i veçantë, thuajse kemi të bëjmë me një makinë fantastiko shkencore të ardhur nga vitet ’80, por që koha tashmë natyrshëm e ktheu atë në një model real. Hyundai Concept 45 është Hyundai i parë i një serie modelesh që do ta bazojnë identitetin e tyre më shumë tek fenerët sesa tek maskerino, siç ka qenë deri tani (dhe vazhdon të jetë për markat e tjera).
Nga brenda teknologjia dhe ndërlidhja janë elementë të prekshëm të makinës së të ardhmes së afërt sipas Hyundai-t. Këtë e ilustrojnë më së miri ekranet e mëdhenj të aplikuar masivisht.
Sipas designer-it të këtij modeli, modelet Suv dhe Crossover premtojnë ende një të ardhme të artë sepse përdoruesit vlerësojnë në mënyrë pragmatike optimizimin e hapësirës dhe komoditetin e hipjes dhe zbritjes të ofruar nga mjete më të lartë nga toka.
Hyundai Concept 45 do të ketë së shpejti një emër të cilin Hyundai do ta bëjë të ditur në vijim, ndërkohë që modeli do të përfundojë kolaudimet teknike. E ardhmja sipas Hyundai-t është pra elektrike dhe e lartë. Do të jetë vërtet kështu?