Honda CR-V 2018
Makinat 4×4 kanë patur gjithmonë një përfaqësi të denjë në lindjen e largët ku ndër vite Japonia kryeson tregjet me modele rezistente, me çmime relativisht ekonomike. Një ndër pikat e dobëta në të kaluarën ka qenë komoditeti i këtyre makinave, duke qenë se ato ishin të projektuara kryesisht për terrene të vështira.
Me ofensivën europiane dhe me rritjen e kërkesave nga tregu në sektorin SUV, duket se edhe prodhuesit japonezë kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet e kabinës dhe opsionet bashkëkohore. Një ndër modelet e para në këtë drejtim ka qenë Honda CR-V, model jo shumë popullor në Europë, por me numra të rëndësishëm nëtregun amerikan dhe në atë aziatik.
Honda ka filluar të përgatisë lançimin në treg të modelit të ri Honda CR-V, që pritet të vijë në vjeshtë, por disa detaje rreth modelit të ri mund t’i shikojmë menjëherë.
Gjenerata e re e Honda CR-V, në linja të përgjithshme është bërë e njohur në mars të këtij viti, në sallonin e Gjenevës. Tani Honda bëhet gati të hyjë në një fazë të nxehtë të shitjeve dhe për këtë po komunikon me të gjitha revistat e specializuara në çdo shtet për të dhënë informacione më të detajuara rreth këtij modeli. Një prej më të rëndësishmëve sipas prodhuesit japonez është përmirësimi në komoditetin dhe hapësirat e brendshme të modelit të ri.
Duke filluar nga përmasat, CR-V i ri është 4cm më i gjatë në gjatësinë midis akseve (266 cm në vend të 262 cm të modelit të vjetër). Gjerësia rritet me 3,5 cm, gjë që rrit ndjeshëm hapësirën në kabinë për pasagjerët që ulen në sediljet e përparme dhe të pasme. Sediljet e pasme mund të përkulen në raportin 60:40 ose 100% në varësi të bagazheve që kemi nevojë të ngarkojmë. Dyshemeja e bagazhit ka dy nivele për të thjeshtuar sistemimin e ngarkesave. Këtu mund të ngarkohen sende me gjatësi deri në 183 cm.
Honda e re Honda CR-V do të vijë në treg fillimisht me motorin 1.5 VTEC Turbo me kambio manuale me gjashtë marshe ose me kambio automatike CVT (kliko këtu për llojet dhe funksionimin e kambios automatike) dhe me terheqje integrale 4×4. Honda CV-R e re mund të zgjidhet në konfigurimin me 5 ose me 7 vende. Përmirësime ka pësuar edhe radha e tretë e sediljeve, version i disponueshëm për motorët me benzinë.
Në fillim të 2019 pritet të vijë versioni hibrid me 5 vende e pajisur me motor 2.0 dhe dy motorë elektrikë për suport. Lartësia e makinës nga toka është rritur për të gjitha versionet me 3,8 cm dhe arrin gjithsej 20,8 cm në versionin 1.5 me terheqje integrale.
Honda CR-V pritet të vijë në treg me çmime të ngjashme me versioni aktual që nëse do të konfirmohen nga Honda, do të fillojnë nga 26.000 euro.