na ndiq ne

Honda Civic Type R

06/07/2021

Heq navigatorin dhe infotainment që të peshojë më pak

Linja virtuale, spoiler gjigand, tubat e shkarkimit qendrorë, kjo Honda Civic Type R Limited Edition është e denjë për një videogame ekstrem pa asnjë modifikim shtesë, por në fakt është versioni i fundit i kësaj gjenerate i prodhuar për asfalt.

Ky i fundit më mirë të jetë në trajektoren e një piste ku të shkarkosh gjithë fuqinë e motorit Honda dhe të argëtohesh me këtë lodër tashmë specie në zhdukje. Performanca në numra thotë se Civic Type R arrin 272 km/h dhe arrin në 5.7 sekonda nga “0-100”. Fuqia shkarkohet në tokë nëpërmjet kambios manuale me gjashtë marsha ndërsa tërheqja është në aksin e pasëm. Frenimi i është besuar kolosit Brembo që në këtë rast ka shkurtuar korsën me 1.5cm për të patur një pedal më të komandueshëm ndërsa impianti në tërësi është 2.5kg më i lehtë.

Por në kërkim të humbjes së peshës, ky version Limited Edition ka edhe sedilje më të lehta. Interesant ose më saktë unik fakti që projektuesit japonezë kanë hequr edhe impiantin multimedia dhe navigatorin. E tepruar apo jo? Dmth kur nuk je në pistë dhe do të dëgjosh pak ClubFm kufje dhe celular? Po pasagjerët? Të mos harrojmë që kjo është edhe një veturë kompakte me pesë dyer që ka kapacitet bagazhi 457 litra në kushte normale dhe 1246 litra me sediljen e pasme të palosur.

Gjithsesi, Civic Type R Limited Edition mbetet një makinë e ngurtë patjetër, kjo veti është e detyrueshme duke parë sportivitetin në ADN të saj, por duket më e rehatshme se modelet paraardhëse. Kjo është e vërtetë edhe falë programeve të guidës ku opsioni “comfort” është ai më i përshtatshmi në guidën e përditshme, ndërsa “Sport” dhe “+R” janë për guidën sportive e cila lejohet vetëm në pistë, përndryshe rrezikoni jetën tuaj, të të tjerëve dhe burgun si dënim i merituar për të gjithë ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë.

Njësia motorike është 2.000 kubikë turbo (benzine) me 320kuaj fuqi, i cili arrin të jetë fluid dhe jo agresiv në një përdorim më normal, falë vlerës së lartë të momentit rrotullues e cila mundëson një përgjigje të menjëhershme të motorit.

Shkarkimi i gazrave është një tjetër risi e teknikëve japonezë: ai përmban tre dalje të cilat duke u koordinuar krijojnë mundësinë e “çlirimit” të ulërimës vetëm gjatë shkeljes së gazit në mënyrë agresive dhe në zonat e larta të xhirove.

Në autostradë Type R është një mjet jo i zhurmshëm dhe i rehatshëm, premtojnë teknikët japonezë. Të apasionuarit e saj ama do të vlerësojnë më shumë sjelljen e saj në pistë, ku pasi përzgjidhet “Sport” Type R tregon natyrën e saj të vërtetë.

Duhen mbi 35.000euro (edhe në varësi të opsioneve të zgjedhura) për të shtënë në dorë këtë bizhuteri japoneze dhe ky çmim nuk është i lartë nëse mendon se ajo që merr është një makinë sportive plot me teknologji dhe emocione.