na ndiq ne

Hennessey Venom F5

04/11/2017

Motor: V8 biturbo

Fuqia: 1.600 kuaj

Shpejtësia maksimale: 480 km/h

0-300 km/h: < 10 sekonda

0-400 km/h-0: < 30 sekonda

E filluam me disa shifra që në fillim sepse kësaj rradhe është cështje numrash. Të realizosh makinën më të shpejtë në botë është një ëndërr e vjetër dhe një objektiv që ndez fantazinë e çdo kompanie automobilistike. Gara për të rrëmbyer trofeun e lakmuar që dhuron prestigj dhe vizibilitet mbetet e hapur dhe siç dihet, luftohet cm pas cm njësoj si një garë në pistë.

Për këtë qëllim Hennessey, kompania teksane e specializuar në prodhimin e makinave sportive të rekordeve, sjell në sallonin e autos Sema 2017 në Las Vegas modelin Hennessey Venom F5, një coupé sportive me parametra mbresëlenës.

Kjo makinë ka shpejtësi maksimale 480km/ore dhe rezulton më e shpejtë se rrufeja. Venom F5 shkon nga 0 në 300 km/h në më pak se 10 sekonda por rekordin e vërtetë e arrin në manovrën që përfshin sprint nga 0-400km/h dhe frenim nga 400-0km/h në më pak se 30 sekonda.

Me këto shifra në letër, duket se Venom F5 lë mbrapa konkurrentet e saj të “vjetra” që janë Bugatti Chiron dhe Koenigsegg Agera Rs.

Beteja midis këtyre prodhuesve filloi me prezantimin e modelit të Hennessey Venom GT, e cila ofronte “vetëm” 1.400 kf, e cila u superua më pas nga Bugatti Chiron me 1.500kf dhe kjo e fundit mbeti mbrapa modelit Agera RS nga prodhuesi suedez Koenigsegg. Kjo e fundit nuk mbante primatin e fuqisë, (1.360kf) por falë peshës më të lehtë dhe një optimizimi total të parametrave, arriti të tejkalonte rekordin e francezes.

Më shumë kuaj fuqi se sa kile – konstruktori i vogël amerikan që njihet edhe për përpunimet e modeleve të serisë zbuloi disa të dhëna thelbësore të Hennessey Venom F5. Ende nuk dimë se kur mund të porositet apo kur mund të jetë gati për dorëzim, por dimë që do të prodhohen gjithësej vetëm 24 ekzemplarë dhe çmimi për secilin do të jetë 1,6 milion dollarë.

Kompania ka investuar shumë në projektin Venom F5 dhe makina është një projekt tërësisht i ri i projektuar nga zero, pikërisht me objektivin që të bëhet makina më e shpejtë në botë. Siç mund të kuptohet nga shifrat në fillim të artikullit, makina bazohet në një motor V8 biturbo (nuk deklarohet cilindrata) i cili gjeneron 1.600 KF. Transmetimi është në rrotat e pasme nëpërmjet kambios me shtatë marshe. Karroceria me fibra karboni është dizenjuar për të përmirësuar menaxhimin e flukseve të ajrit dhe telaio e lehtësuar kufizon peshën e makinës në vetëm 1.350 kg.

Në këtë projekt janë përfshirë edhe Shell (karburante) dhe Pennzoil (lubrifikantë).