na ndiq ne

Genesis GV80

08/01/2020

Luks korean 4×4

Në 2015 prodhuesi korean vendosi të krijonte një markë luksoze për t’i bërë konkurrencë markave premium. Genesis, ky është emri i markës së re, sjell në treg për herë të parë një SUV luksoz, që synon t’i “hajë” kuota tregu modeleve prestigjioze si Audi Q7, BMW X5 apo Mercedes GLE.

Projekti mund të duket ambicioz, por Hyundai ka vendosur në të çdo element të nevojshëm. Design, si një nga aspektet kryesore të çdo modeli, është realizuar nga qendra e design-it në Rüsselheim (Gjermani) Irvine (USA) dhe  Namyang (Koreja e Jugut), pra një miks ndërkombëtar me synimin që të godasë në shenjë në çdo treg.

Vjen si një evolucion i prototipit GV80, një “concept car” e vitit 2017. Maskerino ruan linjat në formë diamanti, por është më e madhe. Në kapakun e motorit gjejmë gojëza ajri të reja ndërsa në profil gjejmë forma të realizuara në reliev. Fenerët janë të frymëzuar nga i njëjti prototip por marrin më shumë teknologji nga modelet aktuale.

Nga brenda Genesis GV80 ka linja të pastra dhe jo të ngarkuara, me vëmendjen maksimale ndaj shoferit. Si gjithmonë, rëndësi merr këtu ekrani me prekje, qendra e sistemit infotainment.

Shasia e këtij SUV është e njëjta me atë të sedanit luksoz G80, por i përshtatur në një trup më të lartë. Po nga sedanët do të huazohen edhe motorët. Njësitë e konfirmuara këtu janë V6 3.300 dhe 3.700 kubikë,  por nuk përjashtohet edhe njësia 5.000 kubikë V8 për versionet Top.

Info të tjera priten së shpejti nga një Suv që duhet të sjellë një risi të rëndësishme edhe në drejtim të çmimit.