na ndiq ne

Frenimi automatik ul numrin e aksidenteve

15/10/2020

Progresi teknologjik në dobi të njerëzimit

Debati nëse teknologjia sot mund të jetë vërtet në dobi të njerëzimit mbetet i hapur në shumë fusha, por në sektorin automotive, përveç disa funksioneve teknologjike që mund të quhen “luks” pjesa tjetër është vërtet në dobi të përdoruesve, dmth të familjeve që përdorin makinën si mjet transporti të përditshëm.

Ky është rezultati i një studimi të kryer në Itali nga ACI (Automobile Club d’Italia dge kolosi gjerman Bosch, prej dekadash një ndër aktorët kryesorë në industrinë automotive). Ndër sistemet e ndihmesës në guidë Adas, shkurtim i  Advanced driver-assistance systems (nga anglishtja Sisteme të avancuara ndihmëse të shoferit) studimi veçon Autonomous Emergency Braking (Frenimin autonom të emergjencës) i cili siç e kemi përmendur shpejt është në gjendje të ngadalësojë ose të frenojë makinën deri në stop total në rast se shoferi nuk e ka vënë re emergjencën.

Sistemet janë të ndryshëm dhe veprojnë në shpejtësi të ndryshme, zakonisht në shpejtësi qyteti, por së fundmi edhe në shpejtësi të mëdha në regjim autostrade.

Mënyra e funksionimit, është në dukje e thjeshtë: një kamera ose një radar (nganjëherë të dy njëkohësisht) në gjendje të dallojë këmbësorët, çiklistët dhe natyrisht mjetet që paraprijnë dhe në mënyrë automatike aktivizon frenimin e mjetit në rast mosreagimi nga shoferi përtej distancës së sigurisë. Në këtë mënyrë arrihet të evitohet një aksident totalisht ose të reduktohen ndjeshëm pasojat e impaktit.  

Sipas të dhënave të këtij studimi, bazuar në të dhënat e nxjerra nga 1.5 milionë automjete në vitin 2017  dhe 1.8 milionë automjete në 2018, rezulton se numri i aksidenteve në qytet (rasti tipik kur makinat përplasen me mjetin që i paraprin në një kolonë në trafik) është ulur me 45% në automjetet me tre ose më pak vite jetë, atje ku është më shumë i pranishëm sistemi automatik i frenimit. Për më tepër, disa prej modeleve të pajisur me sistemin automatik të frenimit kanë gjithashtu 38% më pak mundësi të përfshihen në aksidente, falë pranisë dhe reagimit të këtij sistemi.

Një studim tjetër, i kryer në Itali, tregon se një mjet me moshë 15 vjeçare (siç janë shumica dërrmuese në vendin tonë) ka 50% më shumë mundësi të përfshihet në një aksident të rëndë sesa një mjet me moshë dy ose tre vjeçare. Një mjet modern me sisteme ADAS përfshihet 5.7 herë në një aksident çdo një milionë kilometra, ndërsa një automjet pa ADAS, përfshihet më shumë se 15 herë në të njëjtën sasi kilometrash.

Shifra të ngjashme janë gjetur edhe në studime të tjera në vende të tjera. Të tilla konkluzione, kanë bindur Bashkimin Europian të vendosë detyrimin që makinat e reja duke filluar nga viti 2022 (për t’u konfirmuar) të jenë të pajisura me të tilla sisteme. Një gjë e ngjashme ka ndodhur dekada më parë me sistemin e frenimit ABS, tashmë i pranishëm në çdo model të çdo marke, me përfitime reale për të gjithë automobilistët.

Disa prej sisteme të mundshme së shpejti mund të jenë përshtatja e shpejtësisë sipas trafikut, rregjistrimi i informacioneve në rast aksidenti (si kutia e zezë e avionëve),  sinjalizimi rreziku shoferit në rast përgjumjeje ose shpërqendrimi, monitorimi i përqindjes së alkoolit përpara nisjes, frenimi automatik që pëmendëm, ruajtja e korsisë, etj.

Të gjitha këto sisteme do të kenë në fillim një impakt negativ për konsumatorin nga ana financiare sepse janë sisteme që kanë një kosto ekonomike jo të vogël. Nga ana tjetër ama, në një plan më të gjerë, teknologjia e shtuar do të ketë përfitime edhe më të mëdha në jetë njërëzish apo dëmtime fizike të rënda, kursime të riparimeve në raste aksidentesh (kjo në dobi edhe të kompanive të sigurimit), në ditë të kursyera që makina mbetej për riparim aksidenti në servis, etj etj.

Me fjalë të tjera, përforcohet ideja sa më shumë rritet teknologjia dhe zvogëlohet pesha e faktorit human, aq më shumë rritet siguria për njerëzit dhe mjetet, duke lënë kështu të hapur shtegun që çon në guidën autonome. Kur të vijë momenti që ne të hipim në makinën tonë si pasagjerë, do të kemi shpëtuar totalisht nga aksidentet. Këtu lind natyrshëm pyetja se si do t’ia bëjnë ata që janë të apasionuar dhe e shijojnë guidën e makinës, duke shpresuar në pista të dedikuara ku të shkojmë e të bëjmë xhiro në fundjavë. Mos kemi shkuar shumë larg deri këtu vallë? Për momentin mund vetëm të presim dhe ta shijojmë makinën siç e kemi ngapak çdo ditë, duke patur parasysh gjithmonë rregullat e guidës së sigurtë dhe të edukuar.

Shënim editorial: artikulli është marrë nga revista italiane “AlVolante”.