na ndiq ne

Ford Puma nuk është më një Coupé

27/01/2020

Për ata që e mbajnë mend ende Ford Puma-n e vjetër, prodhuar nga Ford1997, ndoshta nuk gjejnë një lidhje logjike mes një coupé-je kompakte një Suv/Crossover, por tashmë thuajse çdo gjë me rrota duhet të jetë e lartë, kështu që mund të mjaftojë fakti i përmasave kompakte për të bashkuar me të njëjtin emër dy modele në dukje gati të kundërt. Me fjalë të tjera, prodhuesit adoptojnë këndvështrimin e tregut dhe përshtasin ofertën e tyre.

Pavarësisht tipologjisë, dikur coupé, tani Suv, Ford është kujdesur t’i japë Puma-s së re një pamje sportive. Modeli i ri, kompakt në përmasa (419cm i gjatë) ka një maskerino të madhe me zgarë “rrjete” në stil hojesh blete, profil me linja të përpunuara dhe pjesën e pasme të ngritur. Xhami i pasëm është i vogël me pamje të kufizuar, por Ford ofron sensorët e parkimit për të kompensuar këtë të “metë”.

Brenda Puma flet gjuhën e teknologjisë bashkëkohore. Kuadri është dixhital (opsional) me përmasa 12.3″ ndërsa sistemi infotainment me ekran 8″ ofron ndërlidhje të plotë me Apple CarPlay dhe Android Auto.

Komoditeti i besohet sediljeve që mbajnë mirë bustin dhe me një gamë të gjerë përzgjedhjesh nga ana estetike (opsionale natyrisht). Atje ku Ford tejkalon nivelin në këtë kontekst është mundësia e përzgjedhjes së funksionit të masazhit, që nuk e gjejmë kollaj në modele të tjera të këtij segmenti. Bagazhi ka një kapacitet që shkon nga 456 litra në gjendje normale në 1.161 litra me sediljen e pasme të palosur.

Një motorizim interesant i propozuar nga Ford është versioni 1.000 kubikë Mild Hybrid me fuqi totale 155 kuaj (125 kuaj nga motori me benzinë dhe 30 kuaj nga motori elektrik me bateri 48 volt).

Motori i vogël elektrik kryen dy funksione. Përveç ndihmesës për motorin me benzinë kur kërkohet më shumë fuqi nëpërmjet pedalit të gazit, shërben si motorino ndezjeje në trafik në Stop&Start-et e vazhdueshme.

Ford deklaron një konsum mesatar të vlerësueshëm në nivelin 5.6 litra/100km, rezultat vërtet i mirë sidomos nëse kemi parasysh që jemi gjithmonë duke folur për një Suv.

Teknologjia është e pasur me leximin e tabelave rrugore, ruajtjen e korsisë, frenim emergjence, cruise control, hapje dhe ndezje pa çelës, sistemin Co-Pilot që ofron asistencë në guidë, e shumë funksione të tjera.

Ndryshim radikal për një model me emrin e një makine (të dikurshme) me ambicje sportive, por duket se Ford e ka bërë mirë detyrën. Natyrisht presim që të konfirmojmë çdo gjë në një test drive ku të testojmë Pumën e re me premtimin kryesor (sipas Ford) që karakteri sportiv mbetet i pacënuar.