Ford Mustang rinovohet sërish
Ford Mustang është një nga ato raste kur emri i modelit është gati gati edhe më i madh sesa ai i vetë prodhuesit. Një mit si Mustang, qëndron fare mirë edhe pa emrin Ford, pavarësisht se flasim këtu për një nga prodhuesit më të mëdhenj botërorë.
Modeli i fundit i Mustang, i prezantuar në 2015, por rifreskohet sërish duke rritur ndjeshëm nivelin teknologjik dhe disa veçori, megjithëse jo të reja, e pasurojnë ofertën e Mustang 2018, si psh. versioni cabrio, i disponueshëm që prej viteve ’70, apo versioni Bullit, në kujtim të 50vjetorit të filmit me të njëjtin titull, ku Steeve McQueen ishte protagonist i një ndjekjeje me makina, duke ngarë një … Mustang.
Mustang propozohet në Europë në dy motorizime, një version “i thjeshtë” 2.3 Ecoboost, i cili zhvillon 290 kuaj fuqi dhe përshpejton nga 0-100km/h për 5.8 sekonda. Ndërkohë version tipik amerikan, një V8 5.0 me injeksion direkt xhiro të larta dhe indirekt në xhiro të ulëta, tashmë arrin fuqinë 450 kuaj fuqi dhe i duhen vetëm 4.8 sekonda për të arritur në 100km/h.
Përveç muskujve, të cilët janë pjesa më e rëndësishme e ADN-së së një makine tipike Made in USA, ky version i rinovuar i Mustang ka shumë për të ofruar, edhe për tregun tekanjoz Europian. Kështu, teknologjia është rritur duke filluar nga kambio automatike që tani është me 10 marsha, ndoshta tepër për guidën sportive, pavarësisht se Ford premton performance emocionuese dhe mqs bëhet fjalë për një Mustang, duhet ta besojmë. Kambio automatike mbështetet në një dopio freksion dhe në një seri sensorësh për të optimizuar kombinimin e shpejtësisë së rrotave me regjimin e motorit.
Programet e guidës janë të shumta: Normal, Sport, Sport+, Track, Snow/Wet, së bashku me risinë Drag-Strip që optimizon përgjigjen e motorit kur e fundosim këmbën tek pedali i gazit ndërsa versioni My Mode, mundëson personalizim 100%.
Amortizatorët (opsionalë) janë në gjendje të ofrojnë përgjigje në kohë reale ndaj kusheteve të rrugës, duke analizuar 1.000 sinjale në sekondë!
Nga brenda Mustang mbetet një makinë “old fashion” pavarësisht ekranit të madh touch screen në qendër të kruskotit. Timoni dhe leva e marshit janë në stil “vintage”, si të një makine tipike djaloshare, daljet e ajrit në kruskot janë të rrumbullakëta me fletë orientuese të dukshme. Butonat janë të mëdhenj dhe të dukshëm si edhe format, indipendente nga kanunet e design-it actual, si për të theksuar edhe në here karakterin “pa kohë” të Mustang.
Ford Mustang në Europë fillon nga një çmim vërtet tërheqës, rreth 40.000euro, por ky çmim është vetëm fillestar, duke pare listen e pajisjeve shtesë dhe pritshmëritë e një klientele të Mustang. Tek e fundit, miti i vërtetë nuk është kurrë “bazik” 😉