na ndiq ne

Provuam Ford Mondeo Hybrid

03/03/2020

Luks ekologjik

Segmenti E, ai i veturave “tradicionale”, (i quajtur ndryshe “sedan” ose “berlina”), mbetet ende referenca për sa i përket simbolikës së një marke. Me fjalë të tjera, është pikërisht ky segmenti ku çdo prodhues arrin të shprehë më së miri çfarë din të bëjë.

Kur vjen puna për prodhuesin amerikan me logon ovale ngjyrë blu, emri i sedanit të përfaqësisë është i mirënjohur për të gjithë. Ford Mondeo ka lindur për herë të parë në vitin 1993 dhe në katër gjenerata ka ditur të ofrojë gjithmonë një mix elementësh që e kanë bërë atë një ndër sedanët më të vlerësuar në Europë e më gjerë. E konfirmuar kjo edhe nga shifrat e mira të shitjeve, Mondeo ka ditur të jetë një zgjedhje e mirë familjare, ku spikat modeli station wagon me gjithë hapësirën e nevojshme, por në të njëjtën kohë edhe një sedan përfaqësie për shumë kompani, i blerë shpesh si pjesë e flotës për rolet manaxheriale.

Gjenerata aktuale është ende e freskët nga operacioni “facelift” të cilit i është nënshtruar disa muaj më parë. Nga jashtë ndryshimet nuk janë drastike, por të mjaftueshme për ta bërë Mondeon e ri më bashkëkohor dhe më modern. Mondeo i ri ruan edhe pas ndryshimeve “fytyrën” tipike të rëndësishme të evidentuar nga maskerino e madhe e kromuar (për versionet ST Line në formë hoje bletësh në ngjyrim mat). Fenerët tashmë integrojnë dritat ditore Led dhe dritat e mjegullës tani kanë “vetulla” të kromuara. Në pjesën e pasme dallohen fenerët e ridizenjuar dhe një vijë e kromuar që përshkon thuajse gjithë pjesën e pasme, që i shton stil dhe prestigj këtij sedani gati 5m të gjatë.

Meqë dolëm tek përmasat, Ford Mondeo është i gjatë 487 cm, i gjerë 185 cm dhe i lartë 148 cm. Me fjalë të tjera, hapësira në një Ford Mondeo është gjithmonë një nga pikat e tij të forta.

Brenda, Mondeo të mirëpret jo vetëm nga përmasat e bollshme, por edhe nga design i ngrohtë i kruskotit dhe cilësia e materialeve të përdorura. Forma e kruskotit është harmonike ku spikasin monitorët Led tek kuadri dhe ai (kryesori) i sistemit infotainment. Materialet e përdorur janë të butë dhe të japin një ndjesi cilësie të lartë në sy dhe në prekje në një mjedis që do të jetë mbi të gjitha teknologjik. Duke qenë se gjendemi në bordin e një mjeti hibrid, nuk mund të ishte ndryshe. Teknologjia këtu është padyshim në nivelet më të larta, jo vetëm ajo e perceptuara nga ekranet Led, por edhe nga teknologjia e vërtetë e përdorur për të konceptuar dhe ndërtuar një makinë efiçente, përveç se ekologjike.

Sapo xhirojmë çelësin … pardon, sapo shtypim butonin start, vëmë re në të majtë të kuadrit se përveç nivelit të benzinës, evidentohet edhe kapaciteti i baterisë në momentin e ndezjes së makinës. Në ndezje Mondeo nuk ndihet fare, po fare ama … meritë kjo e sistemit të menaxhimit (software) që në të tilla situata mjaftohet me energjinë elektrike. Sensorët përpara dhe mbrapa, së bashku me kamerën për pamjen e pasme, të vijnë në ndihmë që në cm e para të lëvizjes së makinës, duke e thjeshtuar në maksimum punën e shoferit. Zhurma është ende absente ndërkohë që kur bëhemi gati për ecje dhe shkelim me vendosmëri pedalin e gazit, Mondeo sikur drithërohet nga doza e shtuar e fuqisë duke na lënë të kuptojmë që tashmë është aktivizuar edhe motori me benzinë.

187 kuajt fuqi të versionit të provës sonë ndihen të gjithë duke të lënë të kuptosh menjëherë që pesha e një sedani 4.9 metra nuk përbëjnë problem, edhe pse ndjesia është ajo e një guide të butë si në kadife. Mondeo i ri hibrid nuk të jep “grushtin në stomak” të një makine performante, ndoshta sepse ky mision i përket më shumë Mustang-ut (për të qëndruar brenda markës), ose ndoshta sepse nga një sedan luksoz kjo është ajo që pritet, një guidë e butë si një qilim fluturues të cilës nuk i mungon “hapi i shpejtë” për të “gëlltitur” km me shpejtësi pa u lodhur. Merita këtu është kryesisht e amortizatorëve që bëjnë mirë punën e tyre së bashku me një izolim të mirë akustik që krijon një ambjent në privacy të plotë për të shijuar qetësinë në bord.

Në ekranin e infotainment, i furnizuar me sistemin e fundit që ofron Ford, i quajtur Sync 3, mund të zgjedhim një mori funksionesh, përfshirë këtu edhe një ndërlidhje të plotë me celularin me platformat Apple Car Play dhe Android Auto.

Guida fluide ka një suport perfekt edhe nga kambio automatike me tetë marsha që mundëson ndërrime marshi të paperceptueshme dhe falë suportit të motorit elektrik ofron edhe një konsum prej gjirokastriti. Ford deklaron 4.2 litra/100km, që na duket një rezultat i lavdërueshëm, por edhe pak ambicioz. Me siguri ama, kompjuteri i bordit, që gjatë provës sonë shënoi 5.5 litra/100 km, premton më shumë. Ju sigurojmë ama që edhe kjo shifër nuk është treguese, sepse ne gjatë provës sonë e stressuam në maksimum Mondeon tonë, së pari për ta shijuar dhe së dyti për të nxjerrë në pah të gjitha vetitë e saj dinamike dhe të efiçencës së premtuar. Duhet të themi që rezultati ishte vërtet pozitiv dhe që në kushte ideale, me një mot edhe më të mirë, do ta kishim shijuar për një fundjavë në bregdet. Në kushte normale, e dijmë që në vendin tonë kemi një cilësi karburanti … të përmirësueshme dhe se trafiku në qendrat urbane është tashmë një armik real, por një makinë hibride mund të bëjë diferencën pikërisht këtu.

Për më tradicionalistët, Ford ofron edhe motorin 2.0 me naftë me tre nivele fuqish, 120, 150 dhe 190 kuaj fuqi, por me këto përshtypje guide dhe me këtë konsum, jeni të bindur që doni t’i riktheheni karburantit të trenave?

Sinqerisht, kemi bërë edhe prova të tjera së fundmi dhe jemi gjithmonë e më të bindur që motorët diesel e kanë kaluar tashmë momentin e tyre të artë. Për t’u bindur për këtë, kujtojmë edhe që një makinë me motor 2.0 me benzinë si kjo e provës sonë, ndot mjedisin me vetëm 96 g/km CO2.

Ah, për pak harruam të themi që Mondeo hibride e provës sonë ofron edhe gjithë ato sisteme që i ofron thuajse çdo makinë tjetër, si psh. Cruise Control aktiv, Start & Stop apo ruajtjen e korsisë, etj. por të gjitha këto, le t’i lëmë për një provë të dytë, pasi me siguri nuk janë veçoria kryesore e një makine të elektrifikuar që as nuk ka nevojë për karikim, sepse bën çdo gjë vetë.

Ford Mondeo Hybrid, ka edhe një tjetër pikë të fortë, çmimin. Në variantin “Trend” Mondeo i ri kushton vetëm 24,900 euro. Ky version nuk është një version “bazë” të cilit duhet t’i shtojmë më tej gomat dhe timonin, por është një ndër makinat më të mira hibride që ofron tregu i sotëm (ndoshta makina më e mirë për raportin çmim/teknologji/cilësi). Ford Mondeo Hybrid Trend përfshin në çmim kambion automatike, sistemin infotainment me ekranin me 8” në versionin e fundit Sync 3, dopio display me ngjyra ne kuadër, klimatizator dual zone dhe ADAS të ndryshëm si “Low speed collision auto braking” (Sistem frenim emergjence), Lane keep assist (ruajtjen e korsisë), Traffic sign recognition (lexim i tabelave rrugore) etj.

Nuk do t’ju themi kurrë për një makinë të nxitoni ta blini, sepse ai vendim ju përket vetëm juve, por nxitoni ta provoni këtë Mondeo hibrid ama, për këtë nuk keni çfarë prisni asnjë sekondë!