na ndiq ne

Ford Kuga 3.0

11/04/2019

Ford Kuga ka qenë propozimi i parë SUV në Europë nga marka amerikane që në fakt në Europë ka një ADN të ndryshëm nga ai “yankee”. Qendra e kësaj marke në në kontinentin është në Gjermani dhe nëse kjo ka ndonjë domethënie ose jo, nuk mund ta themi. 

Modeli në fjalë erdhi për herë të parë në vitin 2008 dhe ishte ndoshta shprehia maksimale e kinetic design, filosofia e Ford në atë kohë. Nëse nga jashtë design ishte i pëlqeyshëm dhe i vlerësuar sepse kompakt aq sa duhet, nga brenda Kuga huazonte formën dhe materialet e modelit Focus C-Max, një model më konkret dhe më i sinqertë dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ka patur më shumë sukses. Në rastin e Kuga-s, më e shtrenjtë dhe më ambicioze, do të kishte qenë e vlerësuar diçka më ndryshe (për mirë) në drejtim të cilësisë dhe design-it.

Gjenerata e dytë vazhdoi të njëjtën “recetë” si në modelin e parë, një miks midis një Suv-i nga jashtë dhe C-Max, por ndërkohë konkurrenca e rritur ndjeshëm në këtë segment ia vështirësoi jetën ndjeshëm. Fakt është që konkurrentë si Hyundai Tucson apo Mazda CX-5 kanë arritur të shesin disa herë më shumë se modeli amerikan. Në këtë drejtim, Ford mendoi mirë të ripropozojë Kuga-n pas shtatë vitesh jetë të gjeneratës së dytë.

Si është modeli i ri? Së pari është rritur disi në përmasa: 462 cm kundrejt 452 të gjeneratës së vjetër janë mjaftueshëm për të sjellë ndryshim të ndjeshëm në hapësirën brenda, aq më shumë që në Ford garatojnë se kanë optimizuar hapësirat.

Në fakt, Kuga e re është e ndërtuar mbi shasinë e modelit Focus, të cilit edhe i ngjan (pa rezerva) nga jashtë dhe nga brenda. Rezultati është harmonik në forma dhe në detaje, por për një Suv do të kishim preferuar pak më shumë personalitet. Ndonjë blerës racional që nuk ka nevojë për një Suv të vërtetë (si shumica e klientëve Suv) mund të mjaftohet me Focus Active …

Gjithsesi, Kuga e re është e rinovuar plotësisht krahasuar me modelin paraardhës dhe ofron teknologjinë bashkëkohore të markës. Sipas designer-ave të Ford, Kuga e re është një Focus por me shprehi më të arritura dinamike. Një mundësi e mirë personalizimi në gamën e versioneve duhet të vijë nga personaliteti i linjave sportive ST Line dhe atyre më elegante të versionit Vignale, me elementë në alumin, krom apo nga brenda me sediljet dhe timonin në lëkurë.

Teknologjia në bord është rritur. Si kudo kryefjala është “led” me dy ekrane që përfshijnë të gjitha funksionet. Ford Sync është sistemi infotainment me ndërlidhje me Apple Car Play dhe Android Auto, ndërsa kuadri dixhital me përmasa 12.3″ ofron gjithë informacionet tradicionalisht në vëmendje të shoferit mbi shpejtësinë, motorin, etj.

Motorizimet premtojnë mirë me njësi ekonomike që fillojnë nga vëllimi 1.500 kubikë EcoBoost, turbo me benzinë me 120 dhe 150 kuaj fuqi. Interesant këtu është opsioni i cili “fik” njërin nga cilindrat me qëllimin e kursimit të karburantit dhe ndotjes.

Motorët me naftë kanë teknologjinë EcoBlue 1.500 kubikë me 120kf dhe 2.000 kubikë me 150 dhe 179 kf. Kambio është automatike me tetë marsha nëse vendosni për këtë opsion, ndërsa opsioni bazë është manual me 6 marsha.

Ford ecën edhe me hapin e kohës, duke ofruar tre njësi hibride ku vetëm njëri është e llojit plug-in, pra me karikim nga rrjeti.

Çmimi ende nuk është bërë publik, por pritet të jetë i arsyeshëm, duke menduar që brenda kuotës 26.000eur të mund të blihet një version me naftë, kambio automatike dhe disa nga opsionet e standardeve të kohës sonë të përfshira në këtë çmim.