na ndiq ne

Ford GT Heritage Edition

28/08/2020

Në respekt të së kaluarës

Besoj tashmë e keni parë të gjithë Ford VS Ferrari, apo jo? Një legjendë nuk mund të tregohej më bukur në ekran, me një korrigjim të vogël: bëhet fjalë për një histori të vërtetë.

Në vitet ’60, kolosi amerikan vendosi të prodhojë një makinë supersportive në gjendje të garonte në gara shpejtësie si “24 Orë” në Le Mains apo “24 Orë”  në Daytona, ku edhe korri fitoren e parë historike në vitin ’66 kundër një kompetitori si Ferrari. Që nga ajo ditë, me fitore të shumta dhe modele ekstreme gjeneratë pas gjenerate, Ford GT ka arritur të fitojë zemrat e të apasionuarve duke hyrë kështu në histori.

Për të celebruar sukseset e shumta, Ford vendos të sjellë në kujtesë modelin legjendar Ford GT40, duke risjellë një version të pagëzuar GT Mk2 me të njëjtat ngjyra. Me fjalë të tjera, ky model është një  GT40 (kështu quhej modeli i vitit 1966) të ditëve tona.

Ky version i veçantë është preantuar në eventin “Java e makinave” në muzeun Petersen (2020 Petersen Car Week) i cili u zhvillua në Los Angeles pak ditë më parë.

Nga jashtë, Ford GT Mk2 prezantohet me një bojë të veçantë “Forzen white” të dekoruar me motivet me ngjyrë të kuqe dhe të zezë së bashku me elementë tipikë të botës “racing” si kofano e motorit në fibër karboni, disqe massive deri në 20”, etj.

Nga brenda gjejmë një ambjent të rafinuar dhe minimalist me materiale cilësore ku spikasin veshjet e kruskotit në alcantara të zezë, elementë si levëzat e marshave pas timonit në alumin të anodizuar në ngjyrë të kuqe me sediljet e kuqe që plotësojnë kontrastin e goditur kuq e zi (kombinim ky që na kujton ngjyrat e flamurit tonë). Spikasin edhe elementë teknologjikë si ekrani me prekje për funksioket e ndryshme të infotainment, më shumë i përdorshëm në një sedan luksoz sesa në një sportive ekstreme.

Vlen të thuhet se me këto ngjyrime dhe ripërpunim të elementëve të brendshëm, versioni Heritage Collection merr një vlerë të veçantë. Përveç këtij versioni, Ford ka realizuar edhe variantin GT Studio Collection, një kit grafik që vë në dukje elementë të rëndësishëm të makinës si psh. marmitat karakteristike apo apo gojëzat e ajrit për ftohjen e makinës.

Me këtë kit grafikë të veçantë të destinuar vetëm për koleksionistët do të dekorohen vetëm pak njësi. Numri i fatlumëve do të jetë 40 të cilët do të marrin makinat e porositura diku brenda vitit 2022. Në këtë version mund të zgjidhen deri në shtatë ngjyra të propozuara ose mund të zhvillohen edhe lyerje të personalizuara unike, për ta bërë akoma më personale këtë Ford GT.

Nuk ka risi të deklaruara deri tani nga ana motorike. Motori mbetet njësia V6, 3.500 kubikë me benzinë me teknologjinë EcoBoost në gjendje të zhvillojë 660 kuaj fuqi, të cilët na duken “të mjaftueshëm” për të fluturuar në rrugë dhe në pistë.