Ford Focus i ri
Ford Focus, modeli i segmentit C i prodhuesit amerikan, vjen për 2018 i rinovuar dhe së shpejti do të jetë i gatshëm për porosi edhe në Shqipëri. Si në modelet parardhëse, edhe kësaj rradhe Focus do të propozohet në tre versione karrocerie: Hatchback, Sedan tradicional dhe Station wagon. Gjatësia do të jetë midis 438 dhe 467 cm në varësi të versionit të zgjedhur.
Nga jashtë Ford Focus i ri paraqitet në disa detaje si një vazhdim i natyrshëm i asaj që Ford filloi me Fiesta-n, si psh. maskerino apo fenerët, që janë të ngjashëm aq sa duhet për të treguar lidhjen “familjare” midis dy modeleve. Ndryshon në pjesën tjetër të makinës me detaje të ndryshme si parafangot e theksuara apo pjesa e pasme ku emri Focus me gërma të mëdha sikur do të konfirmojë edhe një herë ambicjet e mëdha që ky model ka për Ford.
Nga brenda Focus i ri, pasi kemi parë Fiestën, nuk paraqet revolucion në design, por në vetvete rinovimi është total. Butonat janë vendosur në linjë horizontale dhe në përgjithësi, ka një lloj qartësie pa ngarkesa dhe me linja të thjeshta. Bashkë me hapësirën në bord, që sipas Ford është rritur, duket se i gjithë ambjenti i brendshëm premton prakticitetin e nevojshëm.
Infotainment komandohet nga një monitor touch screen në qendër të kruskotit i cili është i pozicionuar në stil “tablet”.
Teknologjia në bord nuk mungon me një ekran dixhital në mes të kuadrit dhe me funksione si “Head Up Display” ndërlidhje Apple CarPlay, Android Auto dhe mundësinë e internetit WiFi nëpërmjet një Hot Spot (që natyrisht duhet shtuar në porosi).
Nga ana e guidës, teknologjia përfshin “Cruise Control” aktiv, frenim emergjence në gjendje të njohë kalimtarët dhe çiklistët, kontrolli i këndeve të verbëra, një sistem që lexon tabelat në rrugë dhe identifikon rrethrrotullimet, fenerët Full Led të cilët ulin dritat e gjata automatikisht në rast automjeti përballë, etj.
Motorizimet e Ford-it të ri Focus do të përfshijnë njësitë 1.0 Ecoboost me 85, 100 dhe 125 kuaj fuqi dhe 1.5 turbo me 150 dhe 182 kuaj fuqi. Motorët e naftës janë me katër cilindra dhe fuqia varion nga 120 deri në 150 kuaj fuqi të versionit 2.0.
Një nga veçoritë e Focus-it të ri do të jetë edhe versioni “crossover” i quajtur Active, i cili është 3cm më i lartë se versionet e tjera nga të cilët dallohet nga shinat në tavan dhe nga mbrojtjet plastike të parafangove dhe parakolpit.
Me mbërritjen e modelit në Shqipëri, do të zbardhim edhe çmimet për tregun tonë, pavarësisht se pritet të jenë jo larg propozimit në Europë ku Focus fillon nga 20.000euro.