na ndiq ne

Ford Edge

26/09/2017

 Ford Edge vjen tashmë në gjeneratën e tij të dytë pas një suksesi të rëndësishëm të modelit që i hapi rrugën në vitin 2006. Kësaj rradhe Ford vendos të hedhë një hap të rëndësishëm dhe ta komerçializoje atë edhe në Europë. Në këtë gjeneratë të dytë rinovimet janë të shumta duke filluar nga look-u i jashtëm.
Identiteti i Ford Edge është ai i një Suv-i muskuloz, solid dhe kontemporan. Si fillim do të ofrohet vetëm me dy variante motori të bazuara në tashmë të konsoliduarin 2.0 TDCi. Në varësi të “nevojave”apo shijeve tuaja, mund të zgjidhni midis versionit me 180 kuaj fuqi, me marshet manuale ose për pak më shumë “sprint” mund të shkoni tek versioni biturbo, me 210 kuaj fuqi dhe dopio freksion Powershift (automatik). Në të dyja variantet tërheqja është integrale me aktivizim AWD automatik.

Në kushte rruge (pra me karburant, ujë, vaj dhe çdo gjë tjetër për të qenë funksionale) pesha e kësaj makine mbërrin 2.150kg që nuk janë pak. Puna e mirë e motorit 2.0, sidomos në variantin biturbo, bën që perceptimi të jetë ai i ngarjes së një makine të “shkathët”. Hapësira është e mjaftueshme në bord dhe opsionet janë të shumta për këtë propozim nga Ford që vjen me çmim fillestar 46 mijë euro.
Pozicioni në timonin e Ford Edge është i rehatshëm dhe i lartë, plot 70 cm nga toka. Guida është komode dhe trafiku kontrollohet mjaft mirë. Në manovrat e ngadalta, telekamera e përparme (shtesë) dhe ajo e pasme (e përfshirë) asistojnë shumë mirë duke ia lehtësuar jetën drejtuesit.

Pas jo shumë metrash, perceptohet qartë se motori Diesel është menjëherë i gatshëm, duke filluar që nga zona e ulët e xhirove. Kambio është i butë dhe jep një sensacion pozitiv edhe në gradimin “Drive” duke mundësuar një ecje të “gjallë” dhe të rehatshme pa qenë nevoja të ekzagjerosh me gazin. Ky motor është i mjaftueshëm për të ecur fort por pa pretenduar performanca të larta sepse në fakt dihet që SUV-ët nuk janë makina që bazohen tek performancat ekstreme.

Në fakt, Ford Edge shpreh më mirë karakterin e saj sapo del jashtë qytetit. Timoni adaptiv (i përfshirë në versionin Sport) është i saktë dhe i menjëhershëm, sidomos në rrugë të përziera me malore dhe kthesa. Në përgjithësi Edge rezulton një makinë e zhdërvjellët dhe e kënaqshme për t’u ngarë. Kjo duket akoma më e pranueshme nëse mendojmë që baza e shasisë është e njëjtë me atë të “kushërirës” S-Max, të cilën jo pak herë e kanë cilësuar si makina më e bukur për t’u ngarë në kategorinë e saj (Van familjar). Natyrisht kanë pesha dhe gradime të ndryshme të amortizatorëve, por skema mbetet e vlefshme.

Në fund konsumi: mos prisni km pa fund, por gjithsesi Edge nuk është as pijanece. Në kushte normale i mjaftojnë 8.3 litra për 100km dhe duke patur parasysh që po ngasim një makinë në përmasat e një salloni, nuk është aspak keq.