na ndiq ne

Ford dhe Google firmosin marrëveshjen

12/02/2021

Modelet e reja Ford do të kenë sistem operativ Android
Rritja e teknologjisë në segmentin automotive ka paralajmëruar se gjërat do të ndryshojnë drastikisht edhe në transportin individual. Makinat sot nuk janë siç ishin jo më larg se 20 vjet më parë dhe me siguri pas disa dekadash do të jenë thuajse totalisht ndryshe nga si i njohim ne sot.

Përveç teknologjisë së shtuar nga ana e prodhuesve tradicionalë, tendenca e fundit është ajo e projekteve dhe testeve të prototipeve me logon e kolosëve të teknologjisë. Nuk do të vonojë shumë dhe do të shohim në rrugët tona makina me logo Apple, Sony apo edhe Google.

Kjo e fundit, e ka konretizuar afrimitetin me sektorin automotive me një akord gjashtëvjeçar me kolosin amerikan Ford. Modelet e reja Ford dhe Linkoln do të kenë një sistem operativ Android, shumë të ngjashëm me atë të celularëve që kemi ndër duar.

Përveç shërbimeve “cloud” Google do të ofrojë një sistem operativ Android me programe tashmë të njohur si Google Maps, Google Play, etj. Kjo e fundit (platforma e shkarkimit të programeve) do të shërbejë edhe si “dritare” nga ku mund të shkarkohet dhe instalohet programi infotainment dhe aplikacione të ndryshme.
Njësoj si në celularët tanë, edhe sistemi infotainment do të marrë përditësime të vazhdueshme për të patur gjithmonë programet dhe informacionet e fundit.

Një ndihmë e rëndësishme vjen edhe në drejtimin e ndërlidhjes së makinave me njëra tjetrën dhe me botën. Siç dihet, Google është një nga protagonistët e menaxhimit të sasive të mëdha të informacionit, analizës së tyre në kohë reale dhe shfrytëzimit të informacionit nga ana e “inteligjencës artificiale” përditë e më e pranishme edhe në makinat që ngasim sot dhe që do të ngasim nesër.
Për ata që nuk janë shumë tifozë të teknologjisë i qetësojmë duke i kujtuar një Ford Mustang të 1964, si ai që ngiste Steve McQueen. Përveç baterisë dhe disa qarqeve elektrike bazë, çdo gjë tjetër ishte manuale. Vetëm mos kërkoni shërbime si Tidal (nga Vodafone) “on board”. Maksimumi që mund të merrni do të ishte ndonjë këngë e mirë në radion e vjetër, pardon, klasike 😉