Fiat 500X
Fiat 500 (Cinquecento) është një ndër emrat më legjendarë të automobilizmit italian, ku ndër veçoritë e tjera, ka si pikë të fortë faktin se ka ditur t’i rezistojë çdo mode. Kështu, në një periudhë që duket se çdo gjë me rrota duhet të “suv-izohet” Fiat-i ripropozon modelin më të suksesshëm të të gjitha kohërave në një version Crossover, të pagëzuar 500X dhe rezultati është vërtet interesant.
Fiat 500X godet së pari nga ana estetike ku shpalos një nga pikat e saj të forta: personalitet dhe karakter që bazohet në linjat familjare të “motrës” së vogël por që forcohen nga përmasat më të bollshme. Është e gjatë 425cm, e gjerë 180cm dhe e lartë 160cm. Hapi midis dy akseve është 257cm dhe garanton një hapësirë të mjaftueshme në bord për pasagjerët dhe shoferin. Kapaciteti prej 320litrash nuk e bën kampion hapësire por mbetet në linjë me shumë konkurrente.
Nga brenda, përveç hapësirës, ofron linja dhe design klasik me butonat të mëdhenj dhe evidentë, ku rezulati i përgjithshëm është një mix i realizuar mirë midis klasikes dhe teknologjisë në bord.
Nga ana teknike 500X bazohet në shasinë e Jeep Renegade, pjesë e grupit FCA edhe kjo, dhe ka cilësi të pëlqyeshme në asfalt dhe jashtë tij. Jemi larg terreneve të vështira natyrisht, por brenda pritshmërive të segmentit.
Motori 1.4 benzine i ekzemplarit në provë, i bazuar në teknologjinë MultiAir, zhvillon 140 kuaj fuqi në 5.000xhiro/minutë, aspak keq për cilindratën dhe duhet të jetë edhe ekonomik në konsum. Fiat deklaron 6litra/100km si konsum mesatar.
Motori në guidë na dha përshtypje pozitive, me tërheqjen e mjaftueshme dhe jo i zhurmshëm në bord, ku një punë të mirë bënte edhe kambio automatike e robotizuar me gjashtë marsha.
Na pëlqeu më shumë guida në programin “Sport” i cili garanton një përgjigje më të mirë të timonit. Varianti “auto” bën vetë zgjedhjen më të mirë në varësi të rrugës dhe mënyrës së guidës, por të jep përshtypjen e një makine më të butë seç duhet. Programi tjetër, “all weather” këshillohet për terrene jashtë asfaltit, nën reshje të shumta shiu ose dëbore, etj.
Frenat na goditën pozitivisht për një përgjigje të shpejtë dhe efikase ndërsa timoni ofron më të mirën e tij në programin sport.
Në autostradë, zhurmat e ajrit nuk janë asnjëherë të bezdisshme edhe në shpejtësi të larta, ndërsa në respekt të kodit rrugor, çdo gjë është “nën kontroll”.
Në konkluzion mund të themi se 500X është një Crossover origjinale që plotëson shijet e çdokujt që do të posedojë një objekt bashkëkohor dhe i çdo kohe njëkohësisht. Nëse nuk keni nevoja extra për hapësirë dhe bagazhe, ky Crossover mund të jetë një zgjedhje e mirë.