Ferrari SF90 Stradale
Prodhuesi italian i “Kalit të harbuar” sapo ka prezantuar një model të ri, ndoshta për koinçidencë, por mqs kemi ende të freskët McLaren GT, tingëllon si njëfarë konkurrence … (kliko këtu për prezantimin e McLaren GT)
Ferrari SF90 Stradale është në të vërtetë një risi për prodhuesin italian pasi vjen me teknologjinë hibride plug-in dhe për të bërë një hyrje triumfuese vjen me rekordin e modelit “rrugor” më të fuqishëm që Ferrari ka prodhuar ndonjëherë. Pa u zgjatur, flasim me numra siç i takon një makine sportive: 1.000 kuaj fuqi dhe një kohë rekord prej vetëm 2.5 sekonda për përshpejtimin 0 – 100 km/h. 0 -200 km/h arrihet për vetëm 6.7 sekonda dhe shpejtësia maksimale është 340 km/h.
Peshën kryesore natyrisht e zë këtu njësia e benzinës, e bazuar sipas traditës në motorin me 8 cilindra në formë V-je, me vëllim 4.000 kubikë. Fuqia që ky motor arin të zhvillojë është 780 kuaj në regjimin 7.500 xhiro së bashku me një moment rrotullues prej 600 Nm në regjimin 6.000 xhiro. Pjesa tjetër e fuqisë zhvillohet nga motorët elektrikë që janë tre dhe janë të vendosur nga një për secilën rrotë të përparme ndërsa i treti gjendet tek kambio.
Kambio është automatike me tetë marsha e mbështetur në dopio freksion. E veçantë këtu është që kjo kambio nuk ka marsh për të ecur mbrapa. Ky funksion përmbushet nga motorët elektrikë gjë që në fakt duket si një zgjedhje inteligjente.
Telaio e SF90 Stradale është një strukturë e përbërë nga materiale të ndryshme me peshë të rritur 270kg për shkak të teknologjisë hibride, por rritja e peshës kompensohet nga rritja e fuqisë.
Përmasat e këtij modeli janë 4.71 metra gjatësi, 1.97 metra gjerësi dhe një lartësi vetëm 1.18 metra.
Edhe teknologjia në bord është e pasur me shumicën e funksioneve të komandueshme nga timoni. Kuadri është dixhital dhe ofron teknologjinë Head Up Display.
Për klientët më kërkues Ferrari ka përgatitur një shasi të veçantë me emrin e pistës italiane Fiorano. Për këtë version special ofrohen amortizatorët Multimatic të “huazuar” nga garat Gran Turismo.
Çmimi i Ferrari-t të ri SF90 Stradale? Pritet të jetë rreth 500.000euro por ky çmim do të jetë vetëm për modelin bazë. Çdo kërkesë tjetër ka një etiketë çmimi të kripur.