na ndiq ne

Ferrari 296 GTB

05/07/2021

Sa e vogël mund të jetë një Ferrari?

3.000 kubikë? Ok,e kishim kuptuar që motorët V12 që gjëmojnë me zë mashkullor nga 6.500 kubikë janë pjesë e një epoke të kaluar tashmë, por edhe nga 4.000 kubikë (që kanë qenë motorët e modeleve të fundit Ferrari) të zbrisnim në 3.000 kubikë … natyrisht na vjen të pyesim: sa “e vogël” mund të jetë një Ferrari?

Por le të zbulojmë gradualisht modelin e ri të “Kalit” nga Maranello. Ferrari 296 GTB është një makinë hibride me njësi motorike të përbërë nga një motor endotermik me vëllim 3.000 kubikë V6 në gjendje të zhvillojë 663 kuaj fuqi, të cilit i vjen “në ndihmë” njësia elektrike e karikueshme (në prizë) me fuqi 167 kuaj.

Fuqia totale arrin kuotën 830 kuaj ndërsa momenti rrotullues 740 Nm. Njësia e re është projektuar totalisht nga zero dhe siç mund ta shohim në foto ka më shumë pamjen e një skulpture moderne gati – gati në formën e një zemre të madhe, por le të mos bëhemi shumë emocionalë 🙂

Ky motor i ri dhe mënyra si është montuar në shasi krijon avantazhe në drejtim të bariqendrës së ulët, reduktimit të peshës dhe mundëson nivele fuqie prej një V12 me vëllim 5.000 kubikë. Pesha e tij është 30 kg më pak se njësia V8 duke kompensuar pjesërisht peshën e baterisë dhe motorin elektrik. Në total Ferrari e re GTB peshon di 1.470 kg, që është një vlerë e ulët për këtë kategori.

Në fakt, kjo Ferrari e re sjell edhe një rekord në makinat prodhim serie. Në raportin fuqi/litër vëllimi GTB e re shënon 221 kuaj/litër motor. Duket se askush tjetër nuk bën më mirë.

Performanca është kryefjala e modelit të ri. Shpejtësia maksimale është 330 km/h, 0-100km/h arrihen për vetëm 2.9 sekonda ndërsa 0-200km/h arrihen për 7.3 sekonda. Fuqia shkarkohet e gjitha në aksin e pasëm nëpërmjet kambios së robotizuar DCT me tetë marsha.

Ferrari e re 296 GTB duket se ka për qëllim të çelë një segment të ri në gamën e modeleve Ferrari, duke patur nën shënjestër konkurrenten angleze McLaren Artura.

Nga ana e përmasave gjejmë një Ferrari 456 cm të gjatë dhe një hap mes akseve 5 cm më të vogël se modeli Ferrari F8 Tributo. Në linja të përgjithshme 296 GTB ruan frymen e modeleve të fundit nga Maranello duke sjellë diçka të re në linjat e përgjithshme të kuruara në mënyrë maniakale, si gjithmonë në shërbim të aerodinamikës. Në fakt në zonën e pasme gjejmë një spoiler (“bisht”) të integruar me trupin në gjendje të krijojë një shtypje prej 360 kg në shpejtësinë 250 km/h, duke rritur ndjeshëm kështu stabilitetin në guidën performante në pistë.

Një “bishë” e tillë ka nevojë për ftohje speciale (nëse din ta përdorësh siç duhet) përfshirë edhe njësinë elektrike. Kjo shpjegon edhe praninë e dy radiatorëve në zonën e përparme, përpara gomave të para, pranë kondensatorëve që ftohin baterinë.

Pasi e pamë nga afër në mënyrë të detajuar, si mendoni, sa e vogël mund të jetë një Ferrari?