na ndiq ne

Çfarë makine mund të blej me … 5.000euro

26/01/2018

Në Shqipëri qarkullojnë sot rreth gjysëm milioni makina dhe duke patur parasysh fuqinë e ulët blerëse mesatare të vendit tonë, mungesën e politikave orientuese dhe motivuese, buron një raport demoralizues: në çdo 14 makina në qarkullim, vetëm njëra është blerë e re. Të tjerat janë blerë tëperdorura dhe mbi 80% e tyre janë me një moshë mesatare mbi 15 vjet. Kjo do të thotë që shumë prej tyre janë të vjetëruara nga ana teknologjike, e sigurisë dhe nga ana e ndotjes mjedisore.


Kriteret orientuese në blerjen e një makine mund të jenë të shumtë. Përveç preferencave dhe shijeve që nuk do t’i diskutojmë këtu, pasi ato janë subjektive dhe personale, mund të përmendim këtu si kriter të parë  llojin e perdorimit. Një djalë apo vajzë e re beqare mund të ketë nevoja shumë të ndryshme nga një famije me katër apo pesë anëtarë, njësoj si një person që do të bëjë kryesisht shtëpi-punë dhe punë-shtëpi ka nevoja krejt të ndryshme me një person që punon agjent shitjesh.


Në të njëjtën mënyrë mund të analizohet nevoja e vëllimit të makinës ku është më se e qartë se si një makinë e dytë në familje nuk ka nevojë të jetë gjigande, me motor të fuqishëm apo të ketë kapacitet maksimal bagazhi. Lloji i motorit gjithashtu lidhet me përdorimin e makinës, pra një person që bën 30 mijë km në vit ka nevoja të ndryshme me një person që bën vetëm 5.000 km.
Vjetërsia e makinës që përcaktohet nga mosha në vite dhe përdorimi në km mbetet gjithashtu një kriter themelor në përzgjedhjen e një makine.

Duke patur parasysh elementët më lart, ne këshillojmë një makinë sa më të re të mundshme, për arsye objektive në cilësi, nivel teknologjie dhe sigurie. Në çdo rast, Automag këshillon që blerja e një makine të përfshijë një makinë jo më të vjetër se 7-8 vjet dhe jo më shumë se 100.000kilometra të përshkuara.
I fundit por jo pak i rëndësishëm është kriteti i normativës antindotje që makina respekton. Kjo për një arsye të dyfishtë: së pari për shkak të ligjeve që mund të ndryshojnë shpesh dhe mund të gjendemi me një makinë taksat e së mund të rëndojnë ndjeshëm xhepin tone dhe së dyti, sepse cilësia e ajrit që ne thithim është i rëndësishëm për vetë ne në rradhë të parë.
Lidhur me sa thamë më lart, pavarësisht dëshirës, me buxhetin 5.000euro mund të blejmë vetëm një makinë të përdorur. Le të shohim disa mundësi konkrete.


Segmenti A është segmenti i parë i aksesueshëm për buxhetin tonë. Makinat e këtij segmenti janë në përgjithësi të përshtatshme për qytet ose për distanca të shkurtra. Hapësira dhe bagazhi janë të kufizuara, por kjo është një vantazh në përdorimin e përgjithshëm në qytet: ato parkohen kollaj edhe në hapësirat më të vogla. Bazohen në njësi motorike të vogël (zakonisht motore 900-1.000 kubikë) dhe kjo i bën ato kursimtare në karburant dhe mirëmbajtje pasi. Markat dhe modelet ia lemë kujtdo t’i zgjedhë, por vetëm për shembull për të kuptuar se për çfarë makinash bëhet fjalë mund të përmendim këtu makinat Smart Fortwo, Ford Ka, Renault Twingo, Hyundai i10, Peugeot 107, etj.


Për të gjithë ata që nuk mjaftohen me këtë kategori, lajm i mirë është që me parametra të ngjashëm mund të ketë akses edhe në segmentin B ku modelet janë edhe më të shumta. Kështu këtu mund të përmendim Volkswagen Polo, Fiat Punto, Peugeot 207, Skoda Fabia, Seat Ibiza, Ford Fiesta, etj. Këto makina janë të përshtatshme për qytet por edhe për udhetime jo sh. te gjata. Kanë më shumë hapësirë në kabinë dhe në bagazh, parkimi është ende një punë e thjeshtë. Këto makina kanë në gamë më të gjerë motorësh duke ofruar edhe motorë me naftë dhe mbeten kursimtare në karburant dhe mirëmbajtje.


Pavarësisht dëshirave, me këtë buxhet, rezulton e pamundur të gjenden makina të cilat të mund të konsiderohen investime të mira në segmentet e tjera, pasi me siguri kilometrat do të ishin shumë më shumë se 100.000 dhe mosha natyrisht më e vjetër. Nëse do të gjendeshim përballë një makine të segmentit C (Volkswagen Golf, Volvo S40/V50, Ford Focus, etj) me motor nafte 2.0, me kambio automatike dhe aksesorë të tjerë, do të ishin shumë më të kushtueshme në mirëmbajtje. Një difekt i një motori 2.0 nafte është shumë më i kushtueshëm sesa riparimi të njëjtit difekt në një motor 1.0 benzine.