BMW X8 së shpejti?
Nga Mynihu pohojnë se SUV-i i ri vjen në 2022
Numrat çift në gamën e modeleve BMW përfaqësojnë në përgjithësi modelet më sportive, sidomos në segmentin Suv.
Po në rastin e X8, që jemi duke folur për një maksi Suv dhe në këto nivele, dihet që theksi kryesor vendoset tek luksi dhe jo tek karakteri sportiv? Sërish e vërtetë, duket se konfirmohet nga BMW. Njësoj siç X6 derivon nga X5, kështu edhe X8 derivon nga X7.
Thënë keshtu, kemi sqaruar gjithë takëmet luksoze që ky model duhet të ketë. Sa sportiv mund të jetë një Suv i këtyre përmasave, me gjatësi 5.15m dhe gjerësi 2m (të pakonfirmuara zyrtarisht), ky është një “hesap” tjetër, por emri i prodhuesit që shpiku Suv-in e parë sportiv, mund të shërbejë si garanci në këtë drejtim.
Si për çdo model të ri, edhe pse X8 bazohet tek X7, një model tashmë i kolauduar dhe në shitje, BMW është duke zhvilluar ende teste intensive në pistën gjermane të Nürburgring-ut, disa foto të të cilëve po i publikojmë edhe këtu.
Disa prek këtyre fotografive janë projeksione të fantazisë së website-ve të ndryshme që trajtojnë sektorin automotive, por nga sa shohim këtu, X8 e re duket se do të ketë tiparet tipike të modeleve BMW të gjeneratave të fundit.
Maskerino dominante do të luajë natyrisht pjesën kryesore në pamjen ballore ndërsa pjesët e tjera vështirë të thuhet ende, sepse modeli në fotografitë e marra nga pista është i kamufluar. Kuptojmë gjithashtu, siç e thamë më lart që përmasat e modelit të ri do të jenë të bollshme, për të garantuar komoditet dhe hapësirë në bord.
Në këtë fazë edhe informacionet e tjera janë ende një mister, por duket se BMW do të ofrojë edhe në nivelin e “majës” një version hibrid dhe një version sportiv ekstrem M. Në rastin e versionit hibrid na vjen ndërmend motorizimi xDrive45e me 388 kuaj fuqi dhe 600Nm moment rrotullues (si në modelin X5) Ndërsa versioni M mund të ketë motorin V8 me vëllim 4,400 kubikë me fuqi maksimale mbi 600 kuaj. Duhet të jetë mjaftueshëm për një Suv të këtyre pëmasave duke konsideruar që ka më shumë fuqi se Suv-i tjetër i grupit BMW, Rolls Royce Cullinan (571 kuaj) apo i konkurrentit Bentley Bentayga (608 kuaj).