BMW X3 e re
Stili i ri BMW reflektohet qartë në këtë X3 të re e cila vjen tashmë në gjeneratën e saj të tretë. Dy format simetrike të vendosura në maskerino poshtë logos BMW janë më të mëdha. Kanë tani një formë më dominante dhe së bashku me fenerët e rinovuar në design, i japin X3-shit të ri një look totalisht të ri.
Sipas skedës zyrtare publikuar nga BMW, kjo makinë është 471 cm e gjatë (5 cm më shumë se modeli paraardhës), 180cm e gjerë dhe 167 cm e lartë (1 cm më shumë se modeli paraardhës). Vlen të thuhet se pritshmëria është të ketë më shumë hapësirë në bord pasi 5cm e shtuar në gjatësi janë shtuar në fakt në hapësirën midis dy akseve.
Ndërkohë, teknologjia në ndërtimin e shasisë së re ka lejuar që të kursehen gati 100 kg në peshën totale të veturës, gjë që është e gjitha në dobi të konsumit dhe të performancave duke qenë se ka edhe një shpërndarje më të mire të peshës midis dy akseve.
Edhe nga brenda dallimet janë të dukshme. Blloku i komandave tani është i vendosur në korniza plastike të shkëlqyer ose në materialin e motivit të kruskotit që mund të jetë dru i rimesuar ose alumin. Butonat e komandave janë realizuar me efekt alumini dhe janë më të dallueshëm se në modelin e mëparshëm. Elementi kryesor i dallimit më të dukshëm është ai i navigatorit, që tani është i vendosur mbi kruskot dhe jo më i integruar në brendësi si më parë.
Në Shqipëri me siguri motorët më më të kërkuar do të jenë versionet me naftë 2.0 dhe 3.0. Në të dyja versionet X3 ofron kambio automatike me 8 marsha i cili garanton komoditet të plotë dhe qetësi në udhëtim.
BMW deklaron 190kf për versionin 2.0 me një konsum mesatar 5.4 litra/100km. Për versionin 3.0 fuqia është 265k dhe konsumi mesatar është 6 litra/100km.
Në vijim me siguri presim edhe te shohim një version hibrid, siç është tashmë e “modës”për çdo prodhues, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar në këtë drejtim.
Për sa i përket teknologjisë në bord, ajo është e bollshme, siç mund të pritet nga një BMW. Të padiskutueshëm të gjithë sistemet elektronike të cilët arrijnë deri në guidën e asistuar me Active Cruise Control i cili ruan distancën nga mjeti që është përpara në mënyrë aktive deri në frenim të plotë dhe rinisje, sipas ritmit të trafikut. Kjo nëse jemi në një kolonë në vijë të drejtë me makinat varg në autostradë apo rrugë qyteti. Guida autonome e nivelit të tretë ende nuk ka një afat konkret.