BMW X2
Marka e helikës ka prezantuar dje në faqen e tyre zyrtare për shtypin e gjithë botës modelin e tyre më të ri X2.
Vetë emri të bën të mendosh që kjo makinë kompleton boshllëkun midis X1 dhe X3, por në fakt X2 për nga dimensionet (8 cm më e shkurtër se X1) dhe sidomos nga pamja e jashtme është një gjë më vete, me një identitet të ri dhe të fortë.
Kjo duke filluar nga pamja krejt e re e dopio “veshkës” e cila paraqitet si e përmbysur krahasuar me format e deritanishme të BMW-së e duke vazhduar më tej me parafangot e pasme me pamje të theksuar dhe muskuloze. Një detaj interesant nga trashëgimia e modeleve të kaluara është logo në hapësirën sipër rrotës së pasme, një risi e goditur sipas mendimit tonë.
Sipas BMW-së, kjo X2 e re sjell nivele të larta kënaqësie të guidës në këtë segment. Në fakt pajisjet dhe opsionet janë të shumta. Shoferi mund të zgjedhë “gradimin” e përgjithshëm të asetit të X2 sipas rrugës apo stilit të guidës së preferuar. Opsionet janë COMFORT (versioni “normal”) ECO PRO (efiçencë dhe kursim në karburant) dhe SPORT (kjo nuk ka nevojë për shpjegim, apo jo?).
Motorët në momentin e lançimit janë tre: benzinë xDrive20i, me 192 kf dhe konsum mesatar 5.9 l/100 km; naftë xDrive20d, edhe ky me 192 kf por me konsum mesatar 4.8 l/100 km dhe xDrive25d me 231 kf dhe konsum mesatar 5.3l/100km. Versionet me naftë janë të pajisura me kambion automatike me 8 marsha Steptronic ndërsa varianti me benzinë vjen me kambion sportive me shtatë marsha dhe dopio freksion. Tregu shqiptar vazhdon të ketë një debulesë të theksuar drejt karburantit naftë, por me progresin teknologjik dhe me ndjeshmërinë ndaj ambjentit, mendojmë që benzina është një karburant që duhet rivlerësuar.
Teknologjia nuk mungon në këtë X2 duke përfshirë opsione (me pagesë) shtesë si BMW ConnectedDrive të gjeneratës së fundit dhe versionin e fundit të BMW Connected App. Apple CarPlay së bashku me sisteme të tjera në asistencë të shoferit plotësojnë një experiencë guide të ndërlidhur. Risi është gjithashtu edhe BMW Head-Up Display, që konsiston në projektimin (me ngjyra) të informacioneve në xhamin e përparmë.
Në pritje të një testi të vërtetë të këtij modeli, nuk mund të mos sjellim ndërmend konkurrentin më të ri ndoshta, Volkswagen T-Roc, edhe ky me ADN gjermane.