BMW Serie 7 rinovohet
Prodhuesi gjerman nga Bavaria vazhdon rinovimin e gamës së modeleve të tij duke plotësuar një nga një copëzat e mozaikut të një look-u të ri që prej kohësh kishte nevojë të rifreskohej ndjeshëm. Kritikë? Ndoshta, por është një mënyrë për të thënë që BMW nuk ka goditur kurrë më në shenjë sesa me këtë rinovim të Serisë 7.
Modeli aktual që zëvendësohet është në shitje prej 2015, kështu që teorikisht, ky duhet të jetë një operacion në gjysëm të ciklit të jetës, por që në fakt shkund mirë të gjithë parametrat, sidomos ato estetike.
Dopio veshka tipike e BMW-së që përbën maskerinon është 5 cm më e lartë nga toka dhe është ndoshta ky i gjithë sekreti fytyrës së re. Në linjë me luksozen X7, të prezantuar pak muaj më parë, edhe Seria 7 rifiton prestigj dhe rëndësi (në pamje) pikërisht prej një “fytyre” më të rëndësishe, me më shumë karakter dhe mbi të gjitha, më shumë sipërfaqe. Dopio veshka e modelit të ri është 40% më e madhe se ajo e modelit paraardhës, dekoret e kromuara janë rritur dhe stilizuar, fenerët janë më teknologjikë dhe më të hollë dhe kofano e motorit është më e madhe, pjesë e një turiri më të gjatë dhe më hijerëndë.
Cfarë sjell tjetër të re ky model? Duke qenë modeli më luksoz, nuk mund ta fillojmë ndryshe përveçse nga përshkrimi i brendshëm.
Versioni “L” ndryshe me “hap të gjatë” është 14 cm më i gjatë se ai normal duke e rritur në 5.26metra gjatësinë. Gjerësia është për të dy versionet 1.9metra ndërsa lartësia është 1.47m versioni normal dhe 1.48m versioni L.
Sipërfaqet e xhamit përdorin materiale me spesor 5mm më të madh se materialet normale për një izolim akustik total. Këtu ndihmon edhe përdorimi i një materiali që përthith zhurmat i përdorur në pjesën e brendshme të parafangove të pasme.
Ecja e këtij modeli që BMW do ta çojë në nivelet e tapetit fluturues mbështetet mbi rrota me disqe 21”, të cilët as nuk duken gjigandë, duke parë përmasat e bollshme të modelit.
Nga brenda është bërë në punë e mirë duke u bazuar në stilin aktual të BMW-ve të gjeneratës së re. Design është i kuruar deri në detaje. Kombinimet e ngjyrave të propozuara janë me shumë shije dhe këtu BMW do të japë edhe një paraqitje prej luksi por edhe finese, duke ruajtur një harmoni të mirë në përgjithësi. Krahasuar me konkurrencën, bashkëatdhetaret Audi A8 dhe Mercedes S Class, BMW ruan një ambjent disi më tradicional, por kjo nuk është një kritikë. Kuadri është dixhital, 12.3” dhe si zakonisht me një mori funksionesh të disponueshme. Menjëherë në të djathtë gjejmë monitorin touchscreen 10.25” i cili komandohet nga rotulla e vendosur në bllokun horizontal të komandave. Funksionet e klimës dhe disa komanda të tjera janë “ende” me butona fizikë (shyqyr zotit 😊 ).
Për pjesën infotainment do të gjejmë sistemin operativ BMW 7.0 që merr komandat me prekje, me rrotullën idrive apo edhe me zë, duke filluar komandën me fjalinë “Hey BMW” dhe që në këtë rast quhet “Intelligent personal assistant” 😊
Cilësi e lartë reflektohet edhe nga materialet e përdorura dhe përpunimi i kujdesshëm i tyre. Lëkura Dakota ofrohet në pesë ngjyra, Nappa Exclusive në gjashtë ngjyra, druri cilësor American Oak Dark kombinohet me detaje metalike për një pamje të kompletuar. Paketa Design Pure Excellence përfshin edhe veshje në Alcantara, ndërsa paketa M Sport kombinon timonin sportiv të veshur në lëkurë, pedalet M, bordet e derës të ndriçuara, etj etj.
Zona e pasme është një Klas i Parë me të gjitha komoditetet: masazh, klimatizator, sedilje që shtrihen dhe dy display në dispozicion, nga një për secilin pasagjer. Ecja? Hmmm kjo më mirë të provohet në rrugë për një përshtypje të plotë, por kjo Seri 7 e re premton shumë: telajo e rafinuar, amortizatorë me ajër, timoni aktiv edhe në aksin e pasëm. Driving assistant professional përfshin kontrollin e korsisë, asistencën në trafik (=guidë autonome) sinjalizime në rast ndërprerje rruge, cruise control aktiv, Stop&Go, etj.
Motorët parashikohen me benzinë, naftë dhe hibridë Plug-in.
Nafta ka një vëllim të vetëm: 3.000 kubikë me tre nivele fuqie, 265, 320 dhe 400 kuaj fuqi. Benzina vazhdon në nivelet sipërore duke arritur majën me 585 kuaj fuqi në rastin e motorit V12 6.600 kubikë ndërsa versioni Plug-in zhvillon 394 kuaj fuqi në respekt maksimal ndaj ambjentit.
Çmimi do të jetë gjithashtu në lartësinë e duhur. Në Europë fillon nga 95.000 euro, ndërsa në Shqipëri, falë një sistemi taksash më të favorshëm, duhet të fillojë rreth 75.000euro.