BMW Seria 3 Li
Kina është një treg gjithmonë e më i rëndësishëm dhe këtë e dëshmon fakti që risitë shpesh prezantohen atje përherë të parë, por edhe një fenomen gjithmonë e më në rritje. Këtu nuk duhet të ngatërrohemi me modele të lira të dedikuara për amerikën latine, si Volkswagen Gol apo Fiat Linea. Në rastin e Kinës, tendenca është të zmadhohen në gjatësi duke krijuar versione të veçanta të modeleve ekzistuese europiane. Të tilla kemi parë jo pak raste ndërsa tani është rradha e Serisë 3 të re të prodhuesit bavarez.
Versioni “special” dallohet nga sigla Li që shoqëron siglën numerike të modelit. Gjatësia rritet me 11cm, duke iu afruar kështu gati gati Serisë 5 dhe në fakt edhe distanca ndërmjet akseve është e ngjashme, 296cm, me 4.3cm shtesë në dobi të pasagjerëve.
Në tregun kinez do të ofrohet gjithashtu modeli me gjatësi normale, por sipas statistikave, mbi 80% e blerjeve kanë zgjedhur modelin e gjatë.
BMW ka menduar mirë të plotësojë tekat e këtij tregu të rëndësishëm duke ofruar versionet Li edhe për Serinë 5, Suv-in X1 dhe natyrisht Serinë 7.
Seria 3 Li dallon edhe nga disa detaje opsionale që pasurojnë pajisjet bazë të kësaj makine. Mund të përmendim këtu disqet 18” me pamje sportive, sistemin BMW Intelligent Personal Assistant (një sistem asistence online) të integruar në sistemin infotainment, fenerët Led, tavani panoramik, klimatizatori me tre zona, marmitat drejtkendore, etj.
Motori bazë do të jetë njësia 2.000 kubikë Twinpower me turbo, në gjendje të zhvillojë 184 kuaj fuqi. Tërheqja është në aksin e pasëm ndërsa kambio është automatike me tetë marsha.
Me siguri në të ardhmen do të ketë edhe ndonjë propozim elektrik, duke qenë që Kina është tregu më i madh i makinave elektrike sot në botë.