na ndiq ne

BMW Seria 3 hibride

16/10/2019

Seria 3 e prodhuesit Bavarez, pas prezantimit vitin e kaluar, vazhdon të pasurojë ofertën e saj në treg. Versioni më i ri i prezantuar është ai hibrid i llojit plug-in (që do të thotë se karikohet nga priza).

Ky version sjell disa risi krahasuar me versionet tradicionale. Për të filluar, fuqia maksimale rritet ndjeshëm krahasuar me version me benzinë, deri në 292 kuaj. Njësia me benzinë ka vëllim 2.000 kubikë, me turbo që zhvillon 184 kuaj fuqi ndërsa njësia elektrike zhvillon 113 kuaj. Fuqia totale në kushte normale arrin kuotën 254 kuaj ndërsa ajo maksimale arrin kuotën 294 kuaj. Një fuqi shtesë prej 40 kuajsh shtohet me funksionin Extraboost. Kjo “goditje”, e ngjashme me teknologjinë Kers në Formula1, ofrohet për vetëm 10 sekonda në rastin që makina është graduar në programin “Sport”.

Bateria me lithium ka një kapacitet prej 12kWh dhe është e instaluar poshtë ulëses së sediljes së pasme. Ky pozicion mund të jetë i përshtatshëm për të ruajtur bariqendrën të ulët, por ka reduktuar volumin e bagazhit me 105 litra dhe rezultati është një bagazh praktikisht sa i një Golf-i. Nga ana tjetër, edhe nga rrjeti i shtëpisë, bateria karikohet për vetëm 2.5 orë ndërsa autonomia maksimale me ecjen vetëm elektrike është 66 km, e cila në kushte përdorimi të përditshëm duhet të jetë diku tek 50 km realë.

Atje ku Seria 3 hibride dallon ndjeshëm është në performancë. Fuqia është e mjaftueshme të garantojë një kohë 0-100km/h për 5.9 sekonda. Shpejtësia maksimale arrin në 230 km/h. Çfarë është vërtet mbresëlënës (për t’u verifikuar) është konsumi: vetëm 3 litra benzinë për 100km. Kjo e dhënë vlen nëse kur i hipim makinës bateria është e karikuar 100% dhe na shoqëron gjatë gjithë rrugëtimit, por mbetet një konsum vërtet i mirë edhe pse pesha e kësaj makine është 1.700kg, pra edhe më e rëndë se një Seri 5.

Çmimi bazë i Serisë 3 hibride është diku rreth 50.000euro (në varësi të vlerës që do të rezultojë nga taksimi shqiptar). Nuk është tamam ekonomike, por edhe jo i ekzagjeruar. Kujdes ama, se nëse doni të kaloni në versionet luksoze që përfshijnë edhe paketën M Sport, vlera tejkalon ndjeshëm kuotën 60.000 euro, në këtë pikë e vështirë për dikë që nuk është vërtet tifoz i BMW-së dhe që nuk ka probleme portofoli.