na ndiq ne

BMW Seria 2 Coupé rinovohet

09/07/2021

Mirë se vjen tërheqja mbrapa

Rikthim në identitet mund të ishte një nëntitull tjetër i përshtatshëm. BMW Seria 2 Coupé e re rikthen tërheqjen mbrapa dhe guidën gazmore.

Jemi të gjithë dakord që tërheqja mbrapa, kalë beteje e prodhuesit bavarez, është vërtet diçka e pazëvendësueshme kur vjen puna tek kënaqësia e guidës. Lidhet pak me atë ndjesinë e të pasmes së makinës që bëhet aktive, e gjallë dhe të tregon se çdo zhytje e pedalit të gazit jep një efekt të menjëhershëm në guidë, aq sa nqs nuk e kontrollon mirë duhet të jesh edhe i mësuar të bësh korrigjimet me timon. Ok, na mori pak vala e entuziazmit, por vërtet që tërheqja mbrapa tek BMW Seria 2 Coupé e re shënon për të gjithë të apasionuarit një “fitore”.

Në këndvështrimin e performancës kjo Coupé e re premton mjaft me motorizime benzinë dhe diesel. Kjo e fundit, ndër më të pëlqyerat në tregun tonë në tërësi, në versionin 220d sjell versionin 2.000 kubikë turbodiesel mild hybrid në gjendje të zhvillojë 190 kuaj fuqi në regjimin 4.000 xhiro. 11 kuajt e motorit elektrik janë ndihmesë në fazat e përshpejtimit duke ndikuar disi në uljen e konsumit dhe të ndotjes së mjedisit. Fuqia shkarkohet në rrota nëpërmjet kambios automatike Steptronic me tetë marsha duke mundësuar një kohë 0-100km/h për 6.9 sekonda. Konsumi i deklaruar është rreth 5 litra/100km. Këto të dhëna janë të respektueshme, por për një Coupè motorët e benzinës sjellin më shumë.

Versioni i parë në debut është 220i Coupé. Njësia 2.000 kubikë, katër cilindra në linjë zhvillon 184 kuaj fuqi dhe arrin të bëjë 0-100 për 7.5 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale tejkalon 230 km/h. Pesha e këtij versioni është ok me 1.490 kg (pa asnjë lëng) gjë që mundëson një konsum mesatar diku rreth 6.5 litra (sipas BMW). Tërheqja në këtë rast është mbrapa.

Versioni performant i kësaj njësie është i sigluar M240i xDrive Coupé dhe siç kuptohet nga emri vjen me tërheqjen integrale (4×4). Motori ka vëllim 3.000 kubikë, gjashtë cilindra në linjë sipas traditës BMW. Pesha rritet në 1.690 kg por fuqia e tejkompenson me 374 kuaj fuqi dhe 500 Nm si moment rrotullues. Këto vlera mundësojnë një kohë 0-100km/h për vetëm 4.3 sekonda ndërkohë që shpejtësia kufizohet elektronikisht në 250 km/h. Nëse konsumi i kësaj njësie do të ishte vërtet 8.3 litra/100km, instaluesit e impianteve të gazit do të mbeteshin pa punë. Vërtet një njësi e optimizuar, aq sa të mos ndihet shumë pritja për njësinë më ekstreme M2 e cila pritet të debutojë në 2023.

Nga ana estetike, BMW Seria 2 Coupé vjen me një maskerino të re, ndryshe nga ajo e propozuar në Seritë 3 Coupé dhe 4. Dopio veshka këtu është e zhvilluar në mënyrë më tradicionale, horizontalisht dhe duket se shumë nga kritika ndërkombëtare e kanë pranuar pozitivisht këtë propozim. Duhet të themi këtu se BMW është një markë që nuk po përqafon filozinë “matrioska” (shih Audi dhe Mercedes të viteve të fundit), deri diku e përgëzueshme, por nga ana tjetër, ndoshta shumë eksperimentime, më shumë sesa i ka hije një marke premium siç është “bavarezja”.

Nëse do të donim të gjenim ndonjë ngjashmëri, maskerino e re ka diçka të përbashkët me Z4 ndërsa fenerët duken një zhvillim i natyrshëm i fenerëve të Serisë 3 F30. Në tërësi Seria 2 Coupé e re sjell lnja prej një sedani më të madh sesa është realisht. Mqs dolëm tek përmasat, Seria 2 e re shënon 4.5 metra e gjatë, e gjerë 1.83 metra dhe ka një hap mes aksesh 2.74 m.

Nga brenda Seria 2 Coupé sjell disa ndryshime në design dhe ergonomi, elementë që e afrojnë më shumë me Serinë sipërore 4. Si opsione të përfshira në çdo version gjejmë Live Cockpit me sistemin e rinovuar iDrive. Ekranet janë 8.8” ai i infotainment dhe 5.1” ai i kuadrit.  Opsion shtesë gjejmë BMW Live Cockpit Professional, ku kuadri dixhital ka përmasa 12,3” ndërsa infotainment komandohet nga ekrani me prekje 10,25”. Ndërlidhja është e plotë me platformat Android Auto dhe Apple Carplay deri në përfshirjen e asistentes Amazon Alexa.

Teknologjia sjell sisteme ADAS të gjeneratës së fundit si sinjalizimi për përplasje ballore, leximin e tabelave rrugore (kufizimi i shpejtësisë), sinjalizim për dalje nga korsia dhe cruise control me funksion frenimi. Driving Assistant është një ngaopsionet shtesë i cili përfshin një seri funksionesh ndër të tjera edhe Cruise Control aktiv me funksion Stop&Go, qëndrim në korsi dhe sistem kamerash që monitorojnë makinën 360°.

Kjo Seri 2 përfshin në teknologjinë e saj edhe një dash cam pjesë e paketës BMW Drive Recorder në gjendje të ruajë imazhet që vijnë nga të gjitha kamerat e makinës.