na ndiq ne

BMW prezanton zyrtarisht X7

14/11/2018

Modeli i madh X7 nuk është më një mister, pasi ideja dhe modeli “concept” i saj (lexo këtu) është prezantuar kohë më parë. Versioni zyrtar ama i modelit që do të jetë shpejt në konçesionarë, u prezantua vetëm pak ditë më parë. Është hera e parë që prodhuesi bavarez propozon dicka të tillë, me përmasa të shfrenuara dhe po kështu edhe në luks.

Megjithëse për sa i përket përmasave, 515 cm gjatësi, nuk duket si diçka gjigande, nëse këto përmasa i ngrejmë në nivel 4×4 dhe me format e një Suv-i, kështu përftojmë një Suv të madh, ndër më të mëdhenjtë, të tillë që mund t’i bëjë konkurrencë modeleve si Range Rover, Mercedes GLS apo Audi Q7, apo edhe disa modele amerikane si Cadillac Escalade apo Lincoln Navigator/Aviator.
X7 është edhe BMW më e “fryrë” nga ana e design-it. Dopio veshka gjigande nga përpara është dominante, më e madhja që kemi parë ndonjëherë në një BMW, gati-gati, përtej estetikës.


Profili, edhe pse më i pastër në linja, nuk i fsheh dot përmasat e kësaj makine. Disqet e mëdha 20” deri në 22” së bashku me elementet e kromuar, i japin një pamje që mund të tërheqë vëmendjen në rrugë. Dera e bagazhit, nëse nuk do të ishte elektrike, do të ishte një palestër e mirë për krahët.
Nga brenda, kjo BMW X7 ndjek rrugën e modelit X5 (lexo këtu BMW X5) por duket qartë vëmendja që ka çdo detaj për të qenë një nivel më sipër nga cilësia e materialeve dhe kujdesi për elementet e hollësishme. Fjala luks këtu është maksimumi që BMW mund të ofrojë dhe propozohet në nivelin më të mirë të Serisë 7.
Design-i përfshin dy monitorë Led me prekje me përmasa 12,3”, ku njëri shërben si kuadër dixhital ndërsa tjetri është qendra e komandës për infotainment dhe për shumë funksione të tjera të makinës.

X7 e re do të ketë gjashtë ose shtatë vende, që ndryshe përkthehet në tre rradhë sediljesh për të gjitha versionet. Me të tilla përmasa, kjo makinë duket më shumë e përshtatshme për autostradat e pafundme të Amerikës, edhe pse i gjejmë bollshëm në rrugët tona, kur nganjëherë makina është më e gjerë se disa rrugica lagjesh. Imagjinoni sa e vështirë do të ishte një manovër kthimi mbrapsh me ecejake para-mbrapa.


Ndoshta është momenti të sjellim këtu përmasat e sakta të X7: 515 cm gjatësi, 200 cm gjerësi dhe 180,5 cm lartësi e bëjnë këtë makinë të madhe sa një … kasolle 😊
Nga ana tjetër, këto përmasa janë garanci e një hapësire XXL në kabinë, gjë që një klient i kësaj makine me siguri e kërkon.
Këtu pasagjerët, gjashtë apo shtatë qofshin kanë mjaft luks në dispozicion. Rradha e tretë ka mundësi të rregullojë në mënyrë autonome temperaturën dhe ventilatorin ndërsa rradfha e dytë ka edhe akses në sistemin infotainment me dy ekranët me prekje në dispozicion.
Veçori për këtë model është sistemi dekorativ Sky Lounge, që konsiston në tavanin e xhamit me “damarë” Led në brendësi që krijonë 15.000 ngjyrime të ndryshme për atmosferë të re në çdo moment.


Bagazhi i BMW-së X7 është ndoshta pak zhgënjyes: 326 litra janë shumë pak për një makinë të tillë, edhe pse mund të shkojnë deri në 2.120 litra nëse palosim sediljet.
Shasia e X7 është platforma e njohur Clar, e përdorur edhe për modelet X5, Seria 5 apo edhe X3 dhe Seria 3, falë fleksibilitetit që lejon zgjatje dhe shkurtime sipas nevojës. Natyrisht një makinë e tillë nuk mund të jetë pupël: 2.320 kg nuk janë pak, natyrisht, por jo mbi pritshmëritë, duke konsideruar përmasat. Këtu ndikojnë negativisht pajisjet e shumta që janë të përfshira në çmim si kambio automatike me tetë marsha, tërheqja 4×4, i vetmi opsion i mundshëm apo amortizatorët me ajër që janë një zgjedhje e domosdoshme për luksin që kjo makinë ofron.


Lista e elementëve dhe sistemeve që X7 ofron mund të jetë e gjatë, por mund të përmendim këtu disa prej tyre. Ndriçimi mund të përzgjidhet me dritat Laserlight, që ndriçojnë deri në 600 metra. Sistemi Driving Assistant Professional mundëson ndjekjen në autonomi të makinave që janë përpara due koordinuar sistemet që matin distancën, që ruajnë korsinë dhe që matin shpejtësinë. Paketa Off Road ofron mbrojtje shtesë për motorin nga poshtë, për këdo që mund të ndërmarrë rrugë të paasfaltuara me këtë gjigand si dhe programet e guidës për ecje në rërë, tokë apo borë.
Motorët janë me benzinë që në versionin xDrive40i bazohen në 3.000 kubikë, gjashtë cilindra në linjë me 340 kuaj fuqi dhe në rastin e versionit xDrive50i, bazohet në njësinë me tetë cilindra, 4.400 kubikë dhe 462 kuaj fuqi.
BMW do të vazhdojë të ofrojë edhe motorët me naftë në njësitë 3.000 kubikë me dy fuqi: 265 kuaj fuqi për versionin xDrive30d dhe 400 kuaj fuqi, për versionin M50d, që në këtë rast ka katër turbo!