BMW M850i xDrive Cabrio
BMW vazhdon seriozisht zhvillimin e modelit të ri të Serisë 8 (lexo këtu prezantimin e modelit të ri BMW Seria 8) duke e ofruar atë në disa versione, një prej të cilëve shumë i preferuar në disa zona të pasura me diell. Flasim këtu për versionin cabrio, i cili vjen tamam në prag të stinës së bukur. Seria 8 debuton në versionin M850i xDrive Cabrio duke premtuar në të njëjtën kohë cilësi dinamike të perfeksionuara dhe një njësi motorike që garanton ndër të tjera edhe adrenalinën e nevojshme për në guidë emocionuese.
Me tavan të mbyllur, Seria 8 cabrio është shumë e ngjashme me modelin Coupè, ndërsa e hapur është një makinë tjetër. Hapja dhe mbyllja e tavanit mund të bëhet në vetëm 15 sekonda, edhe në ecje, nën shpejtësinë 50km/h.
Nëse ecja në qiell të hapur është dëshira e momentit edhe nëse temperatura nuk është ideale, në bord mund të ruhet një klimatizim i mirë duke ndezur ngrohjen e sediljeve, duke ngritur mbrojtësin nga era dhe duke hapur gojëzat që sjellin ajër të ngrohtë tek mbështetjësja e kokës.
Nga brenda, design i këtij modeli mbetet thuajse fotokopje me modelin coupè, përveç përshtatjeve të nevojshme të kabinës së hapur, përfshirë këtu edhe këndin e xhamit të parë, që këtu duhet edhe të mbrojë, përveç se të ofrojë një aerodinamikë të optimizuar edhe me tavan të hapur.
Pavarësisht përpjekjeve të BMW-së për të realizuar një makinë sportive dhe cabrio të një segmenti premium, shija (dhe ngjashmëria) me Serinë 6 është e paevitueshme.
Objektivi i BMW-së për të ripozicionuar këtë Coupè, duke ndryshuar numrin nga 6 në 8 me siguri ka bazat e saj, por nëse mendojmë që ky model fillon nga 110.000euro, mendojmë që nuk do të ketë një jetë të thjeshtë në treg, sidomos përballë konkurrencës “kombëtare” gjermane.
Motorët e kësaj Serie 8 në versionin cabrio janë njësitë 3.0 turbodiesel me 320 kuaj fuqi, ndërsa versioni që i jep titullin artikullit është njësia me motor 4.400 kubikë, me tetë cilindra në formë V-je që zhvillon 530 kuaj fuqi. Në këtë rast çmimi fillestar arrin në 140.000euro.