na ndiq ne

BMW M340d

26/03/2020

Një sportive me naftë

 Pas shumë gjërave që janë thënë e vazhdojnë të thuhen mbi motorët diesel, ata mbeten ende në prodhim edhe për disa kohë dhe për fansat e kësaj teknologjie, shyqyr që disa prodhues vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë “segment”. Me siguri atëherë këta fansa do të gëzohen në rradhët më poshtë nga sa ka përgatitur prodhuesi i helikës nga Bavaria. Kësaj rradhe flasim për një Diesel me “D” të madhe.

BMW prezanton Serinë 3 në variantin special M340D. Mjafton sigla “M” që dikujt t’i shkojnë buzët vesh më vesh edhe pse në fakt kishte disa kohë që nuk publikonim asgjë në këtë drejtim. Po pa u zgjatur më shumë, le ta shohim nga afër modelin e ri.

Saktësisht quhet M340d xDrive dhe është e pajisur me një motor 3.000 kubikë, 6 cilindra në linjë sipas traditës BMW, që në këtë rast, pas punës së repartit sportiv të BMW-së zhvillon 340 kuaj fuqi. Akoma më shumë entuziasmues është momenti rrotullues: 700 Nm të gatshëm në regjimin 1.750 xhiro. Për ata që nuk e kuptuan akoma, nga 0-100km/h arrihen për vetëm 4,6 sekonda (versioni station wagon ka nevojë për 0.4 sekonda më shumë).

E gjithë fuqia shkarkohet tek rrotat nëpërmjet kambios automatike me tetë marsha që në këtë rast ka raporte sportive për t’iu përshtatur një motori më agresiv. Duke parë fuqinë e motorit BMW e ka pajisur këtë “M3 me naftë” me sistemin Launch Control për të evituar vizat në asfalt në nisjet e rrufeshme.

Është përshtatur gjithashtu edhe shasia dhe pjesë të tjera të makinës për një guidë më ekstreme: amortizatorët janë më të ulët, pincat e frenave të zmadhuara, rrotat 18” dhe 19” dhe tërheqja është integrale inteligjente duke graduar shpejtësinë në akse dhe në rrota sipas puthitjes së gomave në rrugë në varësi të kushteve të rrugës.

Nga ana teknologjike, tekniket kanë parashikuar edhe teknologjinë hibride të lehtë (mild hybrid) që këtu përkthehet në një ndihmesë elektrike të lidhur me motorin me naftë. Ndihmesa elektrike aktivizohet në momentet që kërkohet fuqi e menjëhershme nga pedali i gazit.

Në fazën e frenimit motori elektrik shërben si gjenerator për të karikuar baterinë 48-volt që e vë në punë. Fuqia elektrike është 11 kuaj dhe motori elektrik aktivizohet në ngadalësimet e makinës duke e fikur motorin me naftë nën shpejtësinë 15 km/h. Mjedisi (dhe xhepi) falenderojnë. Nëse konsumi i kësaj makine është vërtet aq sa BMW deklaron atëherë klientela e kësaj makine ka dyfish arsye të gëzohet (përveç performancës). Konsumi i deklaruar i BMW M340d xDrive është 5.7 litra/100km.

Nëse planet nuk do të ndryshojnë, BMW M340d xDrive pritet të jetë gati për në autosallone brenda muajit prill.