na ndiq ne

BMW iX3

23/12/2019

Bavaria avancon drejt elektrifikimit

Prodhuesi gjerman po përforcon avancimin në fushën e elektrifikimit. Ndoshta jo shumë e kujtojnë se BMW është një ndër pionierët e kësaj teknologjie me një bagazh të gjerë në kërkimet dhe testet e bëra.

Modelet i3 dhe i8 janë ndër modelet e para elektrike të prodhuara dhe të shitura, të pranishme në treg nga vitet 2013 dhe 2014. Në këtë rast BMW e zgjeron prodhimin e modeleve elektrike duke kaluar tashmë në një model Suv. Quhet iX3 dhe siç mund të mendohet merr bazën mekanike nga modeli aktual X3 me motorë endotermikë me naftë dhe benzinë. Modeli elektrik ruan traditën sportive bavareze dhe ofron në këtë rast një makinë me tërheqje në aksin e pasëm. Motori elektrik është i gjeneratës së pestë dhe përfshin në përbërjen e tij edhe mekanizmin e transmetimit dhe teknologjinë (bashkë me elektronikën) përbërëse.

Nga ana estetike jashtë është thuajse identike me modelin e serisë aktuale, por me maskerinon e modeleve elektrike ku “zgara” që shërben normalisht për të futur ajrin në modele të tjera, në këtë rast është e mbyllur dhe dy “veshkat” karakteristike nuk janë më të ndara por të bashkuara në pjesën qendrore.

Fuqia e këtij motori është 286 kuaj me një moment rrotullues prej 400Nm, të denjë për një motor muskuloz nafte të gjeneratës së fundit. Si pasojë e rritjes së efiçencës, me një raport rendimenti tashmë mbi 30%, BMW iX3 propozohet si një makinë që ndër të tjera harxhon edhe pak. Bateria e parashikuar ka një kapacitet prej 74 kWh dhe është e vendosur në pjesën e poshtme të shasisë. Kjo bateri garanton një autonomi prej 440km, që do të thotë një konsum energjetik më të ulët se 20kWh/100km.

Nga ana e kudesit për mjedisin, BMW ka kuruar veçanërisht uljen e përqindjes së kobaltit në këtë bateri dhe për më tepër është e angazhuar në vetën e parë në blerjen e lëndëve të para, për t’ia dorëzuar më tej prodhuesit të baterive.

BMW iX3 do të prodhohet në Kinë, në stabilimentin e Shenyang, nga BMW Brilliance Automotive. Brilliance është partneri kinez me të cilët prodhuesi bavarez ka një “joint venture”. Prodhimi do të fillojë në vitin 2020, kur shpresohet të fillojnë edhe shitjet e këtij modeli, ose të paktën rezervimet.

BMW iX3 është modeli i parë i kompletuarme një gamë motorizimi me motorë tradicionalë endotermikë me benzinë dhe naftë, me motorizim hibrid dhe elektrik 100%.