na ndiq ne

BMW iX

09/12/2020

E ardhmja është tani

“Të gjitha gjërat e mëdha fillimisht duhet të mbajnë maska të forta për të hyrë në zemër të njerëzve” – thoshte Nietzsche, filozofi që për rastësi është gjerman si kjo BMW iX e re.

Ndoshta është pikërisht ky qëllimi i dopio veshkës së re që BMW mban në modelet e gjeneratës aktuale, ku hyn me vendosmëri edhe iX, modeli i parë 100% elektrik i epokës së re nga prodhuesi i helikës nga Bavaria.

Nga ana tjetër, besoj jemi të gjithë dakord që BMW ka qenë gjithmonë kurajoze në design, pavarësisht se me këtë gjeneratë, vjen ndoshta me ndryshimin më drastik në histori.

BMW iX e re, edhe pse përmasat e reja nuk janë zyrtarizuar, paraqitet si një makinë e madhe, rreth 5 metra e gjatë dhe diçka më pak se 2m e gjerë, me lartësinë e një modeli Suv. Terminologjia e saktë në fakt sipas BMW është SAV që qëndron për Sport Activity Vehicle (ndërsa SUV është Sport Utility Vehicle).

Design i ri është minimalist dhe me linja preçize, si për të thënë që ka kaluar koha e luksit të ngarkuar sepse atje ku po shkojmë (në një botë elektrike) kryefjala është teknologji në shërbim të njeriut dhe jo materiale të tepërta për t’i dhënë vlerë automjetit. Pikërisht në zonën e maskerinos  me në qendër dopio veshkën e madhe, gjenden “shqisat” e makinës. E kemi fjalën këtu për telekamera, radarë e sensorë në shërbim të guidës së automatizuar.

Nga brenda gjejmë një ambjent të kuruar në detaje dhe të shërbyer nga ana teknologjike. Hapësira rritet falë zhdukjes së tunelit ku në makinat tradicionale gjendet transmetimi dhe kambio. Ajo që është minimaliste në design pasurohet nga cilësia e materialeve dhe nga vëmendja që i dedikohet shoferit. Ekrani i madh i sistemit infotainment është i orientuar drejt tij, si kruskotet e çdo BMW-je të mëparshme. Për më entuziastët e futurizmit, timoni ka një formë hekzagonale ndërkohë që më tradicionalistët do të shpresojnë të kenë si opsion edhe timonin e rrumbullakët 🙂

Një projekt i tillë ka lindur pikërisht duke u nisur nga brenda e duke zhvilluar më tej makinën si një mjedis teknologjik, thonë nga Mynihu.

BMW iX është edhe BMW me inteligjencën artificiale më të zhvilluar. Me teknologjinë 5G është në gjendje të përpunojë informacionin 20 herë më shpejt se modelet më të avancuara sot në treg. Kjo shpejtësi është e nevojshme për të garantuar përgjigje në kohë reale të makinës në kushtet e guidës dhe parkimit autonom dhe për shërbime të tjera që do të vijnë nëpërmjet internetit.

Në terma konkrete çfarë duhet të presim nga kjo BMW iX e re? Dy motorë, nga një për aks, garantojnë tërheqje integrale dhe zhvillojnë së bashku mbi 500 kuaj fuqi. Performanca e premtuar është nën 5 sekonda për të shkuar nga 0 – 100km/h ndërkohë që autonomia duhet të jetë rreth 600 km me një karikim të vetëm. Bateria e kësaj makine prodhohet nga materiale të rinovueshme që do të thotë se BMW iX e re është ekologjike edhe në fazën e prodhimit, jo vetëm gjatë përdorimit.

Do të duhet të presim deri në fund të vitit tjetër për të parë nga afër këtë risi made in BMW, por nga Bavaria premtojnë se pritja do t’ia vlejë. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të presim, por kujdes, po presim me lupë në dorë!