na ndiq ne

BMW iNext

21/02/2019

Konkurrenca midis kolosëve gjermanë premium duket se nuk ka të rreshtur. Betejat janë të njëpasnjëshme dhe duket se vazhdojnë në mënyrë intensive edhe në segmentin SUV, vazhdimisht në rritje duke përfshirë edhe teknologjinë pararojë të mobilitetit elektrik.

Pas prezantimit të Audi e-Tron (lexo këtu artikullin) dhe Mercedesit EQC (lexo këtu artikullin), pak më e vonuar vjen përgjigjia nga Bavaria. Prodhuesi i helikës, ka nisur kolaudimet e prototipit iNext që do t’i japë jetë Suv-it 100% elektrik. Modeli i kamufluar është parë në testet që BMW ka filluar të zhvillojë për kolaudimin e modelit. Terreni i përzgjedhur për këto teste është ai i Suedisë, një terren i vështirë për një automjet me bateri, duke konsideruar temperaturat e kësaj stine në vendin skandinav.

Këto duket të jenë testet e fundit të modelit që sipas zërave ende jozyrtarë, paraprijnë përgatitjet e stabilimentit të prodhimit duke ofruar informacione për korrigjimet apo sistemimet e fundit të modeleve të prodhuara për test.

Arsyeja përse këto teste bëhen në kushte bore është edhe një tjetër. Duke qenë se Suv-i i ri do të ketë tërheqje integrale, ku më mirë se këtu mund të testohet ekuilibri i makinës dhe përballimi i eksplorimeve të vështira?

Informacionet e marra nga këto teste do të shërbejnë për të bërë optimizimet e sistemit të frenimit, që në makinat elektrike ka edhe funksionin e rekuperimit të energjisë, por do të shërbejnë edhe për përmirësimin e tërheqjes 4×4, amortizatorët dhe ekuilibrin e përgjithshëm të makinës.

Kemi dyshimet tona që këto të jenë testet e fundit. Me siguri në BMW nuk mund të harrojnë të bëjnë edhe testimet në pistë, themelore për stabilitetin dhe kontrollin e makinës në shpejtësi të larta dhe në regjime të larta të motorit, kështu që për këtë model, me siguri do të lexojmë sërish në të ardhmen. Ndërkohë Audi dhe Mercedes kanë filluar me shitjet, kështu që kujdes BMW, e ardhmja nuk pret më 😊