na ndiq ne

BMW 2020, bilanc pozitiv por shkurton motorët termikë

16/03/2020

Nga 2021 nafta dhe benzina do t’i lenë vendin motorëve hibridë dhe elektrikë

Grupi Bavarez duket se ka mbyllur një 2019 të mirë, pavarësisht se tregu botëror i makinave ka qenë relativisht i paqendrueshëm, ose më mirë të themi i paparashikueshëm.

Nga Mynihu, Grupi BMW (ku bëjnë pjesë edhe Rolls Royce dhe Mini) pohon se bilanci i vitit të kaluar ka qenë një sukses që do të donin të përsëritej edhe në 2020, megjithëse kjo gjë duket e vështirë në kohët e CoronaVirus-it.

Xhiro vjetore e BMW në këtë bilanc pasqyrohet të jetë në nivelin 104 miliardë euro, një rritje gati 8% krahasuar me vitin 2018. Rritja ka qenë konstante ndër vite (jo vetëm e BMW natyrisht), por grupi gjerman tregon një rritje të qendrueshme nga 50 miliardë euro në vit në 2009 në mbi dyfishin për 2019.

Shitjet e makinave janë në numër janë rritur me 2.2%, duke arritur kuotën 2.5 milionë mjete të shitura.

Duke parë sa po ndodh me tregun global të makinave, BMW duket se po orienton strategjitë për të ardhmen drejt elektrifikimit. Gjithashtu, menaxhimi i lartë i grupit gjerman ka si objektiv të rrisë edhe rendimentin dhe kuotën e fitimeve nëpërmjet programit të optimizimit të pagëzuar Performance > Next. Sipas këtij programi, BMW Group ka si objektiv të kursejë rreth 12 miliardë euro deri në 2022. Kjo do të arrihet nëpërmjet zvogëlimit të gamës së motorëve endotermikë (me benzinë dhe naftë) për t’i lënë vendin motorëve miqësorë me mjedisin, hibridë dhe elektrikë (EV). Motorët termikë do të shkurtohen ndjeshëm krahasuar me gamën aktuale ndërsa në perspektivën e afërt, BMW synon të ketë së paku 30% të makinave të shitura pikërisht të elektrifikuara.

Kujtojmë këtu që BMW ka qenë një ndër pionierët e studimeve për të zhvilluar makina me energji alternative, më të pastër dhe me impakt më të ulët mjedisor. Ndoshta jo të gjithë e kujtojnë modelin BMW Hydrogen 7 (në 2006), një prototip i  ndërtuar mbi bazën e një Serie 7, e cila punonte me hidrogjen, nga djegia e të cilit makina çlironte në mjedis avull uji 100% të pastër.

Rritja e përgjithshme e grupit BMW AG është mbështetur edhe në rritjet e dy segmenteve të veçantë, extraluks dhe motoçikletat. Marka extraluksoze Rolls Royce ka shënuar një rritje prej 21% me 5.100 makina të shitura. Një dorë të mirë këtu e ka dhënë edhe debutimi i modelit SUV Rolls Royce Cullinan. Kontributi vjen edhe nga segmenti dyrrotak me një rritje prej 6% dhe një total shitjesh prej 175,162 motorë dhe “maxi” scooter BMW.